“Vende pune ka, nevojë për pune ka, por nuk ka profesionistë e zanatçinj që t’u përgjigjen nevojave”- tha kryeministri Rama nga Korça, pak ditë më parë! Kështu po i sfidon qeveria qytetarët që kërkojnë punë. Deklaron mijëra vende pune, për të cilat nuk ka njerëz të aftë.
Këtë situatë në tregun e punës e ka pranuar edhe ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi. Në studion e “Njerëz në Fokus” në “News24”, ministri Klosi i përgjigjet pyetjeve për tregun e punës në vend, ndërsa përballë tij janë deputetët demokratë Edmond Spaho dhe Jorida Tabaku. Pjesë e panelit në studio është edhe kreu i Binzes Albania, Luan Bregasi.
Por gazetarja Ledjona Xheladinaj ka intervisuar disa qytetarë të Korçës, të cilët janë shprehur se zotërojnë një profesion, janë regjistruar në zyrat e punës, por përsëri janë të papunë.
Pas kësaj është përgjigjur ministri Klosi, i cili tha se këta qytetarë duhet të shkojnë sërish tek zyra e punës, pasi ka oferta nga biznesi për vende pune.
“Janë shumë kompani në Korçë që së bashku kanë ofruar 5600 vende pune. Atë histori Edi Ramës, për mungesën e kasapëve, ia thamë ne, pasi kemi biseduar me pronarin e një kompanie që kërkonte 50 kasapë. Mund edhe ta verifikoni këtë. Këto kompani që kërkojnë punonjës, kërkojnë persona të përgatitur profesionalisht. Qytetarët që nuk kanë punë, duhet të shkojnë tek zyra e punës. Oferta e biznesit është kjo”, tha ministri Klosi.
Por deputeti i PD për Korçën Edmond Spaho, ka replikuar duke u shprehur se shifrat për të cilat flet ministri Klosi nuk janë reale.
Ndërsa deputetja Jorida Tabaku, e ka quajtur këtë propagandë, pasi sipas shifrave që ajo ka, bëhet fjalë për 4000 vende të lira pune të regjistruara në gjithë Shqipërinë.
Nënkryetari i PD-së Edmond Spaho tha se ministri Klosi gënjen kur thotë se s’ka profesionistë, pasi sipas tij, profesionistë ka, por nuk ka vende pune.
“I fyeni qytetarët duke thënë jeni dembelë, rrini në kafe, nuk keni dëshirë të punoni. në një kohë që shqiptarët kanë 20 vite që kanë shkuar në emigracion dhe e kanë nderuar veten. Kanë ikur 53 mijë veta në Gjermani, sepse s’ka vende pune. Nuk ikin njerëzit kot në emigracion, por ikin sepse s’ka punë. Nuk është e vërtetë që s’ka profesionistë të kualifikuar. Nuk thoni të vërtetën kur thoni që s’ka profesionistë. Profesionistë ka, por s’ka vende pune.”- deklaroi Spaho.
Në përgjigje të deputetit Spaho, kreu i “Biznes Albania”, Luan Bregasi tha se bizneset vuajnë nga mungesa e profesionistëve.
“Ne vuajmë nga kjo çështje. Ne kemi vende pune dhe nuk gjejmë profesionistë.”- tha Bregasi.
Nga ana e tij, ministri Klosi këmbënguli se qeveria ka kthyer vëmendjen nga arsimi profesional dhe po i kushton rëndësi përgatitjes së profesionistëve.
“Nëse kemi një kthim vëmendje nga arsimi profesional, ne e kemi dyfishuar. Kemi rritur investimet në arsimin profesional. Mbyllëm plot 18 universitete private. Arsimi profesional është një nga ato mekanizma që ne e kemi vënë në qendër të vëmendjes. Nëpërmjet arsimit profesional mund të hapim më tepër vende pune. Duke patur mundësi të kemi teknikë të aftë.”- tha Klosi.
Deputeti Spaho kundërshtoi deklaratën e ministrit, duke thënë: “Ju keni lyer ndonjë shkollë me bojë, por për të hapur jo. Më thuaj cilën shkollë të re ke hapur, asnjë shkollë. Nuk keni ngulur asnjë gozhdë. Jeni i pazoti, qeverisja juaj është e paaftë”.