Ilir Meta ka zbardhur takimin e mbajtur më herët gjatë ditës në seli me të dërguarin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Sipas asaj që deklaron Meta, gjatë takimit ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së përbashkët të partneritetit dhe aleancës strategjike, midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë.
Po ashtu, kreu i PL-së bën të ditur se ka vlerësuar se “angazhimi i SHBA në procesin e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë është thelbësor dhe garantues drejt përfundimit me sukses të dialogut mes dy vendeve.”
Mirëprita ditën e sotme Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA për Çështjet Europiane dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Z. Gabriel Escobar. Vlerësova komunikimin e hapur për të gjitha çështjet që diskutuam në takim. Theksova rëndësinë e ruajtjes së përbashkët të partneritetit dhe aleancës strategjike, midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë. Për Shqipërinë, aleanca me SHBA është themelore për demokracinë, zhvillimin ekonomik, sigurinë e vendit dhe të rajonit. E falenderova për mbështetjen e projektit të bazës së NATO në Kuçovë, si dhe ndihmën e jashtëzakonshme për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të sigurisë kibernetike. Vlerësova se angazhimi i SHBA në procesin e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë është thelbësor dhe garantues drejt përfundimit me sukses të dialogut mes dy vendeve. Theksova se zgjedhet e 14 Majit janë një ditë e madhe e ndryshimit për të gjithë shqiptarët, që do t’i japi fund monizmit në pushtetin vendor dhe do të rikthejë demokracinë, transaprencën dhe Llogaridhënien në të gjitha bashkitë e vendit.Nënvizova vendosmërinë e PL për të përmbushur të gjitha detyrimet që burojnë nga partneriteti dhe aleanca strategjike midis Shqipërisë dhe SHBA. Po kështu, shpreha vendosmërinë e Partisë së Lirisë, për të përshpejtuar procesin e integrimit Europian të vendit, me prioritet luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e shtetit të së drejtës.
Ilir Meta në Facebook
Meta nuk pranoi të fliste për gazetarët menjëherë pas përfundimit të takimit me Escobar ndërsa duke ngritur dy gishtat lart kujtoi se të gjithë “duhet të jenë në stadium” ku do të çelet fushata e PL-së që në këto zgjedhje hyn në koalicion me PD-në e Berishës.
Më herët gjatë ditës, Gabriel Escobar i shoqëruar nga ambasadorja Yuri Kim vizitoi selinë e re të Partisë Demokratike të Alibeajt ku u prit nga Gazment Bardhi.
/a.r