Shefi i Twitter, Elon Musk ka thënë në një intervistë për BBC News se drejtimi i kompanisë ka qenë mjaft i vështirë. Megjithatë, sipërmarrësi shton se do ta shiste kompaninë nëse do të vinte një person i duhur për ta drejtuar atë.
Teksa foli për periudhën e drejtimit të Twitter deri më tani, Musk tha: Nuk ka qenë e mërzitshme, por ka qenë me të vërtetë një situatë mjaft stresuese muajt e fundit.
Nga ana tjetër, Musk deklaroi se mendon akoma se blerja e kompanisë ishte gjëja e duhur për t’u bërë. Ai tha se gjërat po shkojnë mirë duke deklaruar se përdorimi i rrjetit social është në rritje.
“Ngarkesa do të thotë se ndonjëherë fle në zyrë”, shtoi ai.
Musk, i cili gjithashtu drejton prodhuesin e makinave Tesla dhe firmën e raketave SpaceX, bleu Twitter për 44 miliardë Dollarë (35.4 miliardë £) në muajin Tetor të vitit 2022.
Ai tha gjithashtu se shkurtimi i fuqisë punëtore nga pak më pak se 8,000 në kohën kur bleu firmën në rreth 1,500 nuk ishte e lehtë. Largimi i shumë inxhinierëve që kur Musk bleu kompaninë ka ngritur shqetësime për stabilitetin e platformës sociale.
Musk ka një pasuri personale prej gati 190 miliardë Dollarësh, duke e bërë atë njeriun e dytë më të pasur në botë, sipas listës së miliarderëve të Forbes.
/a.r