Klan Plus ka publikuar pamjet pak sekonda para vrasjes së dyfishtë që tronditi Kavajën pasditen e 29 Marsit 2023.
Në këto pamje duken Altin Rexha dhe Armand Gosa, të cilët mbetën të dy të vrarë, teksa shkëmbehen në rrugë dhe mes tyre nis konflikti.
Armand Gosa i pret rrugën Altin Rexhës dhe nis ta fyejë. Altin Rexha mban djalin përdore së bashku me qesen me produket që ka blerë në market. Armand Gosa kthehet dhe niset drejt Rexhës. Ky i fundit nxjerr nga brezi pistoletën dhe e mbush.
40-vjecari Gosa i afrohet dhe fillon ta kërcënojë. Sipas dëshmitarëve, Rexha i kërkon shpjegime përse i del përpara me fëmijën dhe i ka kërkuar që ta çojë djalin në shtëpi dhe më pas të rikthehet për t’u sqaruar. Armand Gosa i afrohet kërcënueshëm.
Një qytetar i zonës afrohet për t’i ndarë por Gosa nuk tërhiqet. Një kalimtar tjetër afrohet për të ndarë palët.
Të dy distancohen disi. Megjithatë, Armand Gosa nuk ndalon dhe afrohet sërish drejt Altin Rexhës që po largohej së bashku me djalin e mitur.
Nga ky moment, palët humbasin nga fushëpamja e kësaj kamera sigurie. Pak sekonda më vonë, Armand Gosa godie me 6 thika në shpinë Altin Rexhën. Thika ka kapur dhe djalin e mitur të Rexhës duke e dëmtuar në krah.
Sipas dëshmirarëve, Altin Rexha lëshoi djalin dhe u kundërpërgjigj duke e qëlluar me 4 plumba pistolete Armand Gosën. Edhe pse i plagosur atë moment, Armand Gosa iu afrua dhe e goditi edhe 4 herë të tjera me thikë në kraharor Altin Rexhën.
Të dy humbën jetën nga gjakderdhja.
Sherri mes palëve kishte nisur në verën e vitit 2022 në një lokal në Kavajë. Armand Gosa kishte ofenduar Altin Rexhën me origjinë duke i thënë se “malokët nuk kanë punë në Kavajë”. Prej atij momenti, Rexha kishte marrë një armë pa leje dhe e mbante për vetëmbrojtje.
/a.r