I kishte vendosur këpucët në gozhdë më 9 maj 2010, por Enrico Chiesa ka vendosur t’i kthehet edhe një herë fushës së blertë. Pasi u shërua nga një lëndim i rëndë në gjurin e djathtë, 45-vjeçari ka vendosur të provojë edhe një herë, duke u kthyer pas pesë vjetësh nga pensionimi. Ai ka nënshkruar me skuadrën Castelluccio. Lajmin e ka bërë të ditur portali italian, “Arezzonotizie.it”, sipas së cilit, ishte miku i tij, Don Paolo De Grandi, i cili e ka bindur Chiesan që t’i bashkohet kampionatit UISP, Divizioni i Parë. Chiesa do të mundohet të shënojë gola, si në kohërat e tij më të mira. Të enjten, ai do ta zhvillojë seancën e parë stërvitore, ndërsa të shtunën ka mundësi të debutojë kundër Chiusi della Verna. Ai ka luajtur në ekipet si Sampdoria, Parma, Lazio e Fiorentina. Ka shënuar 171 gola në 505 ndeshje në karrierë.