Euro-deputetët Richard Howitt, Ivo Vajgl dhe Eduard Kukan do të arrijnë në Shkup, ku bashkë me euro-komisarin Johannes Hahn gjatë ditës së nesërme do të bëjnë përpjekje për t’i afruar qëndrimet mes partisë në pushtet, VMRO-DPMNE të Nikolla Gruevskit, dhe opozitës rreth datës së zgjedhjeve të ardhshme. Lajmin e bëri të ditur agjencia Meta, duke iu referuar burimeve në Bruksel, duke cekur se nuk dihet nëse euro-deputetët do të kenë edhe takim të përbashkët me liderët e katër partive më të mëdha politike. Vizita vjen dy ditë pasi që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës paraqitën vlerësimin se nuk janë krijuar kushte për mbajtjen e zgjedhjeve më 24 prill dhe pas vendimit të VMRO-DPMNE-së që të mos marrë pjesë në negociatat në të cilat do të ndërmjetësojë eksperti belg Peter Vanhaute.