Gjykata ka lënë në burg 7 persona me dyshimet se janë të përfshirë në shpërndarjen e lëndës narkotike të llojit kokainë me doza të vogla në Durrës dhe Sukth. Ndërkohë për vajzën e vetme, pjesë të grupeve është vendosur masa e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Policia tha se 8 personat e përfshirë janë pjesë e dy grupeve kriminale dhe prej 6 muajsh ata kanë qenë në përgjim nga Policia dhe Prokuroria e Durrësit.
Nga hetimet ka rezultuar se Goni Muça, i njohur edhe me emrin Gentjan dhe 3 mbiemra të tjerë, kishte rolin e furnizuesit, për grupin e Sukthit, por edhe atë të Durrësit.
Ndërkohë për shpërndarjen e lëndës narkotike kishin përshtatur ambiente të posaçme në lokalet e tyre, konkretisht në lokalin e shtetasit Goni Muça, në zonën e Sukthit, dhe në lokalin e shtetastit tjetër, Ergi Curri, në një lagje në Durrës.
Sipas policisë, të arrestuarit pasi e blinin kokainën, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, e shpërndanin në zonën e Sukthit dhe të Durrësit, si dhe në lokalet e natës, në qytetin e Durrësit.
Gjatë operacionit u sekuestruan doza me lëndë narkotike kokainë, vlera monetare dhe peshore elektronike.
/a.r