Një punonjës policie është vënë në pranga nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore këtë të diel me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Bëhet fjalë për nënkomisarin, Sokol Canameti, 48 vjeç, i vënë në pranga për “Korrupsion pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.
Gjithashtu për dy shtetas të tjerë është caktuar detyrim paraqitje.
“Gjithashtu, është ekzekutuar vendimi penal për caktimin e masës së sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” edhe për shtetasit F.K., 51 vjeç dhe E.K., 22 vjeç, të dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, në bashkëpunim”, njoftoi AMP.
Sipas hetimeve rezulton se Canamati, i cili është Specialist në Seksionin Kundër Narkotikëve në Policisë e Tiranës, kundrejt ryshfetit ka premtuar lehtësimin e pozitave procedurale penale të një shtetasi ndaj të cilit zhvillonte hetime për prodhim dhe shitje narkotikësh.
SPAK ka njoftuar se Canamati ka ushtruar presion ndaj të arrestuarit E.K duke i kërkuar shumën prej 2 mijë Eurosh në këmbim të lënies të lirë duke i thënë se do ta gjente kudo që të ishte nëse nuk e sillte këtë shumë.
I arrestuari ka vënë në dijeni të atin, 51-vjeçarin F.K, i cili nëpërmjet njohjeve ka gjetur 235 000 mijë Lekë dhe ia ka dhënë nënkomisarit të policisë. Kjo shumë është dorëzuar rreth orës 17:30-20:00 të datës 10 Tetor 2022.
SPAK njofton se po heton për të identifikuar personat e tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të jashtëligjshme.
/a.r