Kalidou Koulibaly po zhvillon një sezon fantastik tek Napoli, një lider i padiskutueshëm në formacionin e Sarrit. Ai është lindur në Lorenë të Francës, ndërkohë që ka luajtur në ligën e dytë me Metz, para se të kalonte te Genk i Belgjikës.
Ndaj edhe trajneri i Francës, Didier Deschamps e ka ndjekur me vëmendje, duke e pasur në plane për Euro 2016.
“Ndërmjet alternativave në mbrojtje janë edhe Mathieu i Barcelonës e Koulibaly i Napolit”, thotë trajneri.
Por ai nuk e di që Koulibaly në të vërtetë luan me Senegalin, i ngatërruar ndoshta edhe nga fakti që janë të shumtë lojtarët e ish-kolonive që janë lindur në Francë e madje edhe kanë luajtur me ekipet e moshave, deri në momentin që FIFA lejoi ndryshimin e kombëtareve.
Pavarësisht kësaj, në internet ka plasur gallata.
“Patjetër, tani marrin edhe Higuain dhe zgjidhim problemin me sulmin”, shkruhet për argjentinasin, shoku i senegalezit te Napoli; ose “me Koulibaly, Hazard dhe Aubameyang duhet ta fitojmë lehtësisht europianin”, për dy lojtarët frankofonë e që gjithashtu kanë luajtur në Francë.