Kosova ka marrë pesë garanci të mëdha nga Bashkimi Europian që vetëmenaxhimi i serbëve të mos shndërrohet në një autonomi.
Këtë e bëri të ditur zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili raportoi në komisionin për punë të jashtme të kuvendit të Kosovës.
Ai njoftoi se mes tyre është dhe respektimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 për Asociacionin. Bislimi foli dhe për zbatimin e propozimit europian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se nuk është kërkesë e ndërmjetësuesve që statusi i Kishës Ortodokse të zgjidhet në mënyrë joligjore, por vetëm që të ndodhë formalizimi i statusit të saj.
Zëvendëskryeministri shtoi më tej se çdo lobim i Serbisë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në BE do të konsiderohet si shkelje e marrëveshjes së 27 shkurtit.
Lidhur me planin e BE-së për normalizim dhe aneksin për zbatimin e tij, Bislimi sqaroi garancitë e marra nga BE për ndërtimin e mekanizmit te vetëmenaxhimit te serbëve.
“Ka dakordim të plotë në Bruksel që do të jenë pesë kritere përmes të cilëve do të shihet se a është i pranueshëm, përgjithësisht si bazë për diskutim, propozimi apo drafti që propozohet. E para është, a kërkon ky draft apo ky propozim, a sugjeron, insiston, a parasheh një shtresë të re të qeverisjes. Në rast se parasheh shtresë të re të qeverisjes nuk konsiderohet si i pranueshëm për diskutim të mëtejmë. 2. A nënkupton të drejta kolektive, në qoftë se po i merr epitetet e një drafti të papranueshëm. 3. Në ç’masë është në harmoni me marrëveshjet e dakorduara në vitin 2013 dhe në vitin 2015. 4. Në ç’masë është në harmoni me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. 5. Në ç’masë është në harmoni me letrën që zonja Federica Mogherini i ka dërguar Qeverisë së Kosovës, ku tregon se çfarë kompetencash mund të ketë e çfarë jo, Asociacioni apo ky mekanizëm për implementim. Janë pesë siguresa të mjaftueshme që ky mekanizëm apo ky lloj vetëmenaxhimi nuk ka asgjë nga ajo që e kemi quajtur ‘Zajednicë’”, u shpreh Bislimi.
/a.r