I ftuar këtë mesditë në rubrikën “Opinion” në “News24”, kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu, tregoi arsyen se përse partia e tij nuk është pjesë e koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
Ai tha se nëse PR do të ishte në këtë koalicion, do ta dëmtonte, ndërsa shtoi se ai ka kërkuar që në këto zgjedhje të shkohet me një kandidat të përbashkët, e madje se do të donte që PD të ishte e bashkuar pasi është një proces që herët a vonë do të ndodhë.
Mediu tha se edhe pse nuk është regjistruar në këtë koalicion, partia e tij do të mbështesë kandidatët e Primareve, teksa shtoi se gara dhe lufta e tyre politike është vetëm me Partinë Socialiste. Sakaq, shtoi se të gjithë kandidatët duhet të thërrasin të gjitha paritet opozitare në tryezë dhe këshilltarët e këtyre partive për t’i bërë pjesë të stafit.
“Edi Rama në mënyrë të qëllimshme ndryshoi kushtetutën dhe kodin zgjedhor dhe qëllimi i tij është që të kishte vetëm një subjekt politik. Kjo ngushtonte hapësirën në një marrëdhënie elektorale të opozitës. Ne kemi thënë që po do kemi një kandidat të përbashkët dhe secila parti të ketë listat e veta proporcionale. Unë kam kërkuar që të ketë vetëm një PD. Mendoj se është një proces që herët a vonë do të vijë. Le të kënaqemi me faktin që në shumë zona nuk kemi dy kandidatë.
Vetë PD e Alibeajt thanë që jemi gati të pranojmë 61 kandidatët që kanë dalë nga primaret, pra u pranuan këta kandidatë. Po çfarë ndryshon në pozicion e PR se u regjistruan me vulën e PD apo pa vulën?! Për mua e rëndësishme është kush është kandidati favorit për të fituar.
Nuk kam pse të ndryshoj mendim sepse ndryshoi një palë mendim. Ne do të mbështesim gjithë kandidatët e Primareve, por ajo që i kërkoj koalicionit, është të mos injorojë asnjë faktor opozitar në listën proporcionale. Të gjithë kandidatët duhet të formësojnë koalicionin e madh, pra “Bashkë Fitojmë”.
Nuk e kemi të shkruar partinë në koalicion sepse do të ishte e dëmshme. Duhet që Igli Cara siç e ka bërë Boçi dhe Këlliçi, etj, të thërrasin të gjitha paritet opozitare në tryezë dhe këshilltarët e këtyre partive për t’i bërë pjesë të stafit të tyre. Kemi një kundërshtarë përballë, që është Partia Socialiste”, tha ai.
/s.f