SPAK i sekuestron pasurinë turkut, Ramazan Keskin, kreu i një bande kriminale trafiku droge! Ka fituar mbi 10 milionë euro! Prokuroria e Posaçme ka njoftuar se GJKKO ka pranuar kërkesën e saj për të sekuestruar pronat në Shqipëri të turkut Ramazan Keskin, i dënuar për trafik droge në Gjermani e Holandë.
SPAK thotë se e ka nisur procedimin disiplinor në janar të këtij vitit dhe rezulton se Keskin është kreu i një organizate kriminale e cila ka si aktivitet kriminal trafikimin e lëndëve narkotike dhe pastrimin e parave.
“Nga aktet e administruara rezulton se shtetasi R. K. është kreu i një organizate kriminale e cila ka trafikuar sasi të mëdha lënde narkotike të llojit ‘’Heroinë’’ dhe ‘’Kokainë’’ në Roterdam, Holandë e në Gjermani, ku bëhej grumbullimi e përpunimi i lendës narkotike, e cila më pas shpërndahej në gjithë Evropën. Gjithashtu shtetasi R. K. si kreu i kësaj organizate kriminale nëpërmjet korrierëve të ndryshëm ka transportuar nga Gjermania në Turqi mbi 10 (dhjetë) milion euro, të cilat janë përfituar nga trafikimi i lëndëve narkotike”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Ramazan Keskin ka udhëtuar në mënyrë të vazhdueshme në Shqipëri dhe ka bashkëjetuar me një = shqiptare, ndërkohë që ka investuar shuma të konsiderueshme në Shqipëri.
“Nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar përsa i përket pasurive të shtetasit R. K., rezulton se ka një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se këto pasuri të paluajtshme apo të luajtshme, t’i ketë fituar si rezultat i veprimtarisë së tij kriminale”, njofton SPAK.
Për këtë arsye është vendosur sekuestrimi i pasurinë me adresë, Selitë, Tiranë, me sipërfaqe 1 000 m2, e llojit “ullishte”; Automjeti tip Audi SQ7, me targa gjermane LR-II7777; Automjeti autoveturë, marka AUDI, tipi Q7, targa AA275SB si dhe 25% të aksioneve të Operatorit Ekonomik “GLOBAL LEADER IN SPORT (GLS)” shpk; 50% të aksioneve të Operatorit Ekonomik “KESKINDAG” shpk; 50% të aksioneve të Operatori Ekonomik “REALIZ”;
Vendimi tashmë është ekzekutuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
/s.f