David Pecker, ish-pronari i “National Enquirer”, mik i Trump për vite me radhë, bleu fakte “të nxehta” për manjatin (dhe figura të tjera publike) dhe më pas i hoqi historitë nga tregu (praktika që në shtypin amerikan njihet si “kap dhe vras”). Do të kishte qenë ideja e tij që të paguante pornostaren Stormy Daniels dhe do të lidhej gjithashtu me rastet e Karen McDouglas etj. Katër vite më parë ai kishte vendosur të bashkëpunonte me magjistratët, e kjo përbën një hall të madh për gjyqin aktual të Trump, njofton Javanews.
Një vizitor i shpeshtë i vilës Mar-a-Lago, Pecker kishte një marrëdhënie shumë të ngushtë me Trump për dy dekada. Derisa ai nënshkroi një marrëveshje imuniteti katër vjet më parë, duke iu bashkuar grupit të vogël të ish-bashkëpunëtorëve – Michael Flynn, Michael Cohen, Omarosa Manigault, Allen Weisselberg – të cilët në një mënyrë ose në një tjetër i kanë kthyer shpinën ish-presidentit.
Pecker është i përfshirë në të gjitha pagesat e përmendura në akuzat e tanishme të prokurorëve të Nju Jorkut: një për yllin porno Stormy Daniels, një për ish modelen Karen McDouglas për të mos zbuluar lidhjet e tyre me manjatin dhe një për një drejtues të Kullës Trump, për të mos raportuar thashethemet se presidenti i ardhshëm kishte pasur një fëmijë me një shërbëtore në fund të viteve ’80 .
Të hënën, Pecker ishte dëshmitari i fundit i dëgjuar nga juria e madhe përpara vendimit mbi aktakuzën e Trump (ishte paraqitja e tij e dytë në sallën e gjyqit në tre muaj) dhe duke lexuar 34 akuzat ai do të dukej i destinuar të bëhej “super dëshmitari” i gjyqit, i cili nuk duhet të mbahet përpara 24 janarit të ardhshëm. Ish-botuesi është në fakt një figurë kyçe në historinë e pagesave sekrete ndaj ish-yllit të pornos Stormy Daniels: jo vetëm që ka vepruar si ndërmjetës, por do të kishte qenë ideja e tij që ta “vrasë” historinë në këtë mënyrë. Me para në dorë.
“Catch and kill” është praktika e blerjes së një zbulimi të nxehtë për një politikan apo një personazh të famshëm për ta hequr atë nga tregu. Një kasafortë e tërë në zyrat e Pecker-it thuhet se është e mbushur me histori të tilla . Takimi i parë që do të diskutonte skemën e kapjes dhe vrasjes do të ishte midis botuesit në fjalë, vetë Trump dhe avokatit Cohen në gusht të 2015-ës . Çfarë kishte për të fituar Pecker? Favorizime, dashamirësi dhe madje edhe një llogaritje komerciale e mediatike: lexuesit e tabloideve e donin “The Donald”, veçanërisht që nga ditët e shout të famshëm “The Apprentice” . Aq sa që nga viti 2010 publikimet e grupit kanë filluar të bëjnë presion për zbritjen në fushën politike. Duke u bërë megafon i teorisë së rreme Trumpiane se Presidenti Obama nuk ka lindur në Amerikë, informon Javanews.
Më vonë pasuan histori të tjera që Pecker botoi për kundershtarët e Trump: ish-zv.presidentin John Edwards, Hillary Clinton, Ted Cruz etj.
Dhe në fund historia e Stormy Daniels që thuhet se kreu marrdhënie seksuale me Donald Trump. Në vitin 2016, agjenti dhe avokati i Daniels diskutojnë mundësinë e shitjes së të drejtave ekskluzive për këtë takim seksual me Trump, për revistën “Enquirer”. Por Pecker dhe redaktori i tabloidit, Dylan Howard, vendosin që avokati i Trump Michael Cohen duhet të merret drejtpërdrejt me Stormy. Kur Cohen vonon të paguajë (ai do të paguante nga llogaria e tij dhe Trump do t’i rimbursonte më vonë paratë), Howard e shtyn atë që të mbyllë marrëveshjen. Gjithashtu në aktakuzë lexojmë se në vitin 2016 Pecker, Trump dhe Cohen patën një “seri diskutimesh” për izolimin e historisë së Karen MacDougal.
Dëshmia e Pecker mund të ketë qenë vendimtare në hetimet e sotme sepse ai është njeriu në gjendje t’i përgjigjet dy pyetjeve që fshehin dy akuzat kryesore. E para është: A e dinte Trump për këto pagesa? Duke pasur parasysh marrëveshjet e tyre për të kapur dhe për të vrarë lajmet e sikletshme për ish-Presidentin, duket pikërisht kështu. E dyta: ishin këto shpenzime për të ndikuar në rezultatin zgjedhor? Edhe këtu përgjigja duket se është po, pasi shmangia e sikletit të aferës seksuale me Stormyn, ishte çelësi i mirëkuptimit mes tij dhe botuesit Pecker. Dhe, siç thuhet gjithashtu në aktakuzë, në verën e vitit 2017 Trump e ftoi atë “për ta falënderuar për ndihmën e tij gjatë fushatës elektorale”.
Perktheu Javanews.al