Ashtu siç jemi njohur përmes rrjeteve të tyre sociale, Rama dhe Berisha kanë zgjedhur “podcast-in”, një mënyrë të re komunikimi për të qenë sa më pranë elektoratit. Analisti dhe gazetari i njohur nga Kosova, Milaim Zeka zbuloi se ka marrë një ftesë nga kryeministri Rama për të qenë bashkëmoderator, por thotë se ende nuk i ka kthyer përgjigje. Sipas Zekës është më mirë t’i shohim liderët nëpër stacionet e tyre të radiove sesa 24 orë nëpër televizione.
Zeka u shpreh se nuk do ta refuzonte edhe Berishën, nëse ai do t’i bënte një ftesë. Madje theksoi se me ish-kryeministrin do të shkonte më mirë.
Pyetje: Si e keni parë këtë gjë në prag të zgjedhjeve elektorale?
Milaim Zeka: Unë e kam një ofertë nga Rama për të qenë bashkëmoderator i atij emisioni në radio. Akoma nuk i kam kthyer përgjigje, në momentin që do ti them po ose jo do të prononcohem.
Rama po bën një lëvizje të jashtëzakonshëm. Më mirë ta shohim Edi Ramën në një stacion personal të radio që njerëzit zgjedhin nëse do ta dëgjojnë ose jo, sesa ta shohim Ramën, Berishën e Metë 24 orë në të gjitha stacionet televizive në Shqipëri dhe Kosovë.
Pyetje: Po nëse do keni një ftesë nga Berisha do ta pranoni atë?
Milaim Zeka: Po, pse jo. Me Berishën do të shkonim më mirë. Sepse Berisha është me serioz dhe unë do ta balancoja emisionin përmes humorit tim. Do dilte një emision më i fuqishëm! Batutat e mia me ato të Ramës mund të përplaseshin.