Presidenti Bujar Nishani ka dekretuar Ministrat e rinj të qeverisë, Arben Ahmetajn dhe Milva Ekonomin në ministritë respektive. Pak më parë Nishani kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuse kërkesën për interpretim, por mesa duket, ai nuk do të presë vendimin e gjykatës. Pas një “lufte” në distancë, më në fund ngërçi mes Presidencës dhe Maxhorancës ka përfunduar.
Nishani në kërkesën dërguar Gjykatës Kushtetuese argumentonte se kreu i shtetit nuk mund të dekretonte miratimin e dy ministrave të rinj në kushtet kur parlamenti ende nuk ishte shprehur me votë për largimin nga posti të Ihs ministrit të Financave Cani dhe të Ahmetajt nga Ministria e Ekonomisë. Në këto kushte, shkruante Nishani në argumentimin e tij, ai nuk do të dekretonte emërimet e Ahmetajt dhe Ikonomit pa marrë dritën jeshile nga Gjykata Kushtetuese.
Por diçka e tillë nuk ka ndodhur, teksa tashmë zyrtarisht Presidenti është “dorëzuar” dhe ka dekretuar emërimet, vetëm një ditë larg afatit që i njeh atij kushtetuta. Precedenti i kësaj rradhe ishte unik, pasi në këto 3 vite të qeverisjes së majtë, dekretimet për shkarkime apo emërime nga ana e Presidentit nuk kanë shkuar asnjëherë në të tilla limite kohore.