Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me atentati ne kryer ndaj Aldi Mustafës, ditën e djeshme në Shkozet të Durrësit.
Në vazhdën e zbardhjes së detajeve për ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në lagjen nr. 14 ku ndaj makinës së Aldi Mustafës u krye atentat me lëndë eksplozive, ditën e sotme Report Tv është përpjekur të zbulojë detaje të reja që lidhen me lakimin e emrit të Rrumit në ngjarjen e ndodhur një ditë më parë.
Report Tv ka kontaktuar dhe ka biseduar me babain e Aleksandër Lahos, i njohur ndryshe si Rrumi i Shijakut.
Xhemal Muharremi ka dhënë një deklaratë jashtë kamerave, në të cilën mohon që Rrumi të ketë njohur Aldi Mustafën. Ai thotë se nuk kanë asnjë lidhje me njëri tjetrin dhe se nuk janë takuar asnjëherë.
Cila është e vërteta e lidhjes së emrit të Rrumit me Aldi Mustafën?
Xhemal Muharremi: Familjari ynë nuk ka asnjë lidhje me Aldi Mustafën. Prej disa kohësh në media qarkullojnë lajme të rreme se Aleksandër Laho (Rrumi) dhe Aldi Mustafa njihen dhe se kanë pasur kontakt me njëri-tjetrin, gjë që ne nuk mund t’ua pranojmë pasi nuk është e vërtetë.
A kanë shkëmbyer biseda, a janë takuar ndonjëherë nën dijeninë tuaj? Cila është origjina e lidhjes së emrit të dy personave në fjalë?
Xhemal Muharremi: Asnjë telefonatë nuk është shkëmbyer mes tyre dhe aq më pak të jenë takuar fizikisht. Familjari ynë nuk ka asnjë lidhje me Aldi Mustafën. E vetmja mënyrë nëpërmjet të cilës ne kemi parë lidhjen e këtyre dy emrave, ka qenë në media, asnjë polic, hetues, prokuror apo gjykatës nuk na ka kontaktuar të na marrë në pyetje ne apo familjarin tonë nëse Aleksandër Laho dhe Aldi Mustafa njihen me njëri-tjetrin.
Pra ju thoni se mes tyre nuk ka njohje?
Xhemal Muharremi: Duam ta mohojmë këtë lajm pasi është krejtësisht i rremë. Ju lutemi shumë që të mos përgojohemi nëpër media për lidhje dhe ngjarje të paqena. Deklarime të tilla nuk duam që të bëhen pa asnjë provë të saktë, pasi na dëmtojnë dhe duam të jemi realist me atë çfarë ndodh./m.j