Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim kryebashkiakun e Bergamos, Giorgio Gori, me të cilin diskutoi mbi bashkëpunimin mes dy qyteteve për aktivitete të ndryshme sportive dhe kulturore.
“Këtë vit Tirana është Qyteti Europian i Sportit 2023, kurse Bergamo është Kryeqyteti i Italisë për Kulturën, prandaj shoh një mundësi të jashtëzakonshme që, gjatë Javës së Kulturës Italiane në Tiranë, në qershor, të kemi mundësinë të shtojmë kalendarin e aktiviteteve dhe të shijojmë maksimalisht këtë urë të jashtëzakonshme bashkëpunimi që kemi me Italinë. Ashtu siç shqiptarët janë integruar në Itali, jam krenar që edhe italianët janë integruar këtu. Fakti që disa japin mësim, disa të tjerë bëjnë biznes, disa shkojnë në shkollë e universitet, kemi vërtet një raport special. Është shumë e rëndësishme që presidentët, kryeministrat, kryetarët e bashkive të bashkëpunojnë, por është edhe më rëndësishme kur qytetarët krijojnë këto ura të jashtëzakonshme bashkëpunimi”, tha Veliaj.
Kryetari i Bashkisë së Bergamos, Giorgio Gori vlerësoi Tiranën si qytet në rritje, kurse kryebashkiakun e Tiranës si një njeri dinamik.
“Jam i lumtur që ndodhem në Tiranë! Kjo është hera e parë për mua, por nuk do të jetë e fundit. Më duhet të them se takimi me kryebashkiakun e Tiranës është një portë që hapet drejt qytetit, drejt vendit, historisë dhe drejt së ardhmes. Për mua është një zbulim. Më kishin folur për një kryebashkiak të ri, shumë europian, ndërkombëtar, shumë dinamik, dhe në fakt është pikërisht kështu. I drejtuam ftesën tonë kryebashkiakut dhe bashkëpunëtorëve të tij, për të vizituar Bergamon. Këtë vit ne jemi kryeqyteti italian i kulturës, bashkë me Qytetin e Brescias. Jemi të hapur për turistët dhe ata që do të na vizitojnë”, tha Gori.