Kreu i komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj i është përgjigjur deklaratave të Sali Berishës, i cili tha sot nga Shkodra ku ishte për të kujtuar 4 heronjtë e 2 prillit se “vota për Alibashën është votë për Ramën”.
Përmes një reagimi në Facebook, Alibeaj shkruan se veçse një mendësi komuniste mund ta përdhosi kujtimin e heronjve të 2 prillit, duke sulmuar të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga ai.
“Përkujtimi dhe respekti ndaj atyre që jetën dhanë në 2 prill, bëhet me nderim e në heshtje. Me reflektim të ndjerë e të thellë për çka dhe përse amaneti i antikomunizmit, lirisë dhe demokracisë ende nuk është çuar në vend! E vend për faj e përgjegjësi ka për çdokënd që pati mundësinë për të kontribuar në këtë drejtim. Nëse nuk ka dashur a mundur sot duhet veçse të heshtë!
Veçse një mendësi komuniste mund ta përdhosi kujtimin e heronjve të 2 prillit, duke sulmuar të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga ai.
Ata që dhanë jetën në 2 prill në emër të lirisë dhe demokracisë së munguar për dekada meritojnë respektin dhe nderimin më të lartë sot. Në ditën kur ende zgjatimet e komunizmit përpiqen të mbajnë peng të ardhmen e shqiptarëve për interesat e tyre personale.
Në nderim të jetës së dhënë nga heronjtë e demokracisë, Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Bujar Bishanaku dhe Besnik Çeka, të gjithë duhet të perulemi me respekt dhe të vlerësojmë më gjakftohtësi dhe seriozitet rrugëtimin politik të PD në këto 30 vjet. Në emër të vlerave të së cilës ata u vranë pabesisht nga regjimi komunist.
Vlerësimi dhe nderimi për jetën dhe veprën e heronjve të 2 prillit do të mbetet në themelet e vlerave mbi të cilat PD u ngrit. Ndaj sot reflektimi për këto vlera duhet të na bëjë më të përgjegjshëm për të çuar në vend jo vetëm dëshirën por dhe idealin e të gjithë atyre që dhanë jetën që sot të jemi të lirë në një vend demokratik. Për të respektuar çdo mendim dhe alternativë dhe jo për t’iu dorëzuar kultit të individit që na mbajti peng për gati 50 vjet!”, shkruan Alibeaj.