Kreu i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja tha se ende nuk është parë dhe shqyrtuar kërkesa e Presidentit Nishani, në lidhje me dekretet e Ministrave. I kontaktuar nga Panorama, Dedja shtoi se Gjykata Kushtetuese do të ndjekë rrrugën dhe afatet ligjore që përcaktohen nga gjykata.
“Nuk e kam parë ende kërkesën e Presidentit të Republikës, jam njohur sot (dje) përmes mediave. Gjykata ka qenë mbyllur të shtunën e të dielën dhe nuk kemi asnjë depozitim të kërkesës. Gjykata do të ndjekë rrugën dhe do të respektojë afatet ligjore si për çdo çështje që depozitohet në Gjykatën Kushtetuese”, u shpreh Dedja.
Afati për dekretimin e Presidentit Nishani të emërimeve të reja ministrore në qeveri skadon ditën e martë, por mesa duket, Gjykata Kushtetuese, sipas ligjit, ka kohë dy muaj nga depozitimi i ankesës, për të marrë në shqyrtim përmbajtjen e saj. Për më tepër, që ligjërisht dhënia e vendimit dhe zbardhja e tij nuk kanë një afat të caktuar kohor.
Vetëm një precedent i këtij lloji është vendosur në vitin 2002, kur Gjykata ka dhënë mendim brenda 24 orëve pas depozitimit të një kërkese, si dhe ka zbardhur vendimin. Bëhet fjalë për kërkesë të 29 deputetëve të opozitës së djathtë në atë kohë, të cilët kërkuan intepretim të nenit që përcakton prezantimin e qeversë dhe programit të saj në një ditë në Kuvend. Opozita atëherë kërkonte që programi qeverisë të miratohej veçmas nga përbërja e kabinetit.
Prezantimi i qeverisë nga kryeministri i mandatuar i asaj kohe, Pandeli Majko, u pezullua për 24 orë, për t’i dhënë të drejtë pas një dite që të miratohej në Kuvend, pas vendimit që dha Gjykata Kushtetuese, që nuk lejoi bllokimin e funksionimit të qeverisë së re.