Rreth 298 dhëndurë nga Kosova janë pajisur me leje qëndrimi për arsye të bashkimit familjar si bashkëshortë apo partnerë civilë në Shqipëri. Këtë fakt e ka bërë të ditur për “Kohën Ditore” Manjola Xhiku, shefe e Sektorit të Migracionit në Drejtorinë e Përgjithshme për Kufirin dhe Migracionin në Shqipëri. Ndërkohë, sipas Xhikut, numri i shtetasve nga Kosova që janë pajisur me leje qëndrimi për arsye të ndryshme është 1.136 persona. Por numri i dhëndurëve nga Kosova mund të jetë më i madh se 298 persona, pasi, sipas Manjola Xhikut, jo të gjithë personat që kanë lidhur martesë me vajza nga Shqipëria mund të aplikojnë për leje qëndrimi.