Partnerët e koalicionit qeverisës nuk po guxojnë ta zbulojnë datën e zgjedhjes së presidentit nga frika e kundërshtimeve të ashpra që pritet të vijnë nga opozita. Ata nuk e mohojnë se zgjedhja e Thaçit në krye të shtetit mund të ndodhë këtë të mërkurë, tri ditë para protestës së paralajmëruar. Partnerët e koalicionit qeverisës po i bëjnë përgatitjet e fundit që Hashim Thaçi të zgjidhet këtë javë president. Jozyrtarisht përmendet dita e mërkurë (24 shkurti), dita kur Thaçi do të votohet në krye të shtetit, disa ditë para se partitë opozitare ta mbajnë protestën e paralajmëruar. Madje partnerët e koalicionit thonë se zgjedhja e Thaçit president pritet të ndodhë gjatë një seance solemne të Kuvendit të Kosovës, të cilën seancë partitë opozitare janë të vendosura që të mos e lejojnë që të zhvillohet.