‘Hysenbelliu Group’ ka reaguar sot pas deklaratës së ish-kryeministrit Berisha se në mjediset e ‘Prestige Resort’ janë kryer veprimtari të paligjshme nga zyrtarët socialistë.
Gjatë një komunikimi me gazetarët, Berisha tha se socialistët i vunë tritolin resortit ku kishin bërë orgjira.
‘Hysenbelliu Group’ thekson gjithashtu se në veprimtarinë e saj ka ndjekur parimet më cilësore të hoteleri-turizmi dhe se mjediset e saj nuk janë kryer asnjëherë veprimtari të jashtëligjshme.
“Në konferencën e tij të shtypit, sot z. Sali Berisha ndër të tjera deklaroi se “Në qoftë se shkon dhe vë tritol ndaj pronave të një pronari të mediave në mënyrën më demonstrative, pasi ke ngrënë, ke pirë, ke bërë orgjira aty…”.
Duke respektuar qëndrimet politike të Berishës në emër të opozitës shqiptare dhe denoncimet e vazhdueshme që ai ka bërë kundër aktit të paligjshëm të qeverisë mbi “Prestige resort”, duhet të sqarojmë për opinionin publik se hoteli Prestige ka funksionuar mbi bazën e parimeve më cilësore të hotelerisë dhe turizmit, me kontrata të rregullta me agjencitë më të rëndësishme turistike perëndimore.
Deklarojmë me përgjegjësi se gjatë funksionimit të tij, në hotel nuk është kryer kurrë asnjë veprimtari e jashtëligjshme, sikundër deklaroi zoti Berisha. Hoteli ka pasur standardet më të larta të sigurisë dhe është përzgjedhur për veprimtari të ndryshme nga mjaft institucione ndërkombëtare.
E ftojmë z. Berisha dhe këdo tjetër të publikojë provat e pretenduara, ndërkohë që ne jemi të bindur se prova të tilla nuk ekzistojnë.
Në lidhje me deklaratën se “Taulant Balla ka kaluar dy muaj dhe nuk ka paguar asnjë qindarkë në suitën presidenciale të resortit” deklarojmë se z. Balla ka qenë në resort, në disa aktivitete të organizuara nga grupi parlamentar i PS dhe si vizitor i personave të strehuar pas tërmetit të vitit 2019.
Lidhur me deklaratën tjetër të Berishës se “pas 2 godinave të tjera të Prestige që u konfiskuan qëndron korrupsioni”, i kërkojmë atij të bëjë publike faktet dhe autorët e këtij korrupsioni, pasi siç e kemi theksuar resorti ishte me leje të rregullt nga qeveria shqiptare” – thuhet në deklaratën e ‘Hysenbelliu Group’./m.j