Shtetet e Bashkuara kanë thënë se Rusia do ta dërgojë një delegacion në Korenë Veriore, për të ofruar ushqim, në këmbim të armëve.
Zëdhënësi i Këshillit për Siguri Kombëtare, John Kirby, ka thënë se një marrëveshje potenciale e armëve, në mes të Koresë Veriore dhe Rusisë, do të përbënte shkelje të rezolutave të Këshillit të Sigurimit.
Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar më parë Korenë Veriore për furnizim të Rusisë me armë në Ukrainë, por edhe të mercenarëve të grupit rus Wagner.
Pheniani i pati hedhur poshtë këto pretendime.
Kirby ka thënë në një konferencë për media se SHBA-ja ka informacione të reja për marrëveshjen.
“Ne e kemi kuptuar që Rusia është duke tentuar të dërgojë një delegacion në Korenë Veriore dhe që Rusia është duke i ofruar Koresë Veriore ushqim, në këmbim të municioneve”, ka thënë ai.
Zëdhënësi për Siguri ka thënë se SHBA-ja është duke e vëzhguar nga afër situatën.
Koreja Veriore është një prej shteteve më të varfra në botë dhe është përballur me mungesa kronike të ushqimit për dekada.
/s.f