Presidentja aktuale e Kosovës, Atifete Jahjaga, e përfundon mandatin e saj më 7 prill të këtij viti. Një muaj para 7 prillit, më 7 mars, duhet të dihet emri i ri i presidentit, raporton KTV. Kështu parasheh afati kushtetues i përcaktuar. Megjithatë, qytetarët ende nuk e kanë të qartë se kush e zgjedh presidentin dhe kanë dilema për mënyrën se si ai zgjidhet. Albert Krasniqi nga KDI-ja shpjegon se për zgjedhjen e tij ka disa faza e kushte. Edhe kur të vijë faza e votimit në Kuvend, nevojitet kuorum, dhe votimi mund të shkojë deri në tri runde. E nëse presidenti i ri nuk do të bëhet i ditur brenda fazës 60 ditore, në të cilën aktualisht kemi hyrë, Kuvendi shpërndahet, ndërsa për 45 ditë të ardhshme shkohet në zgjedhje të reja.