Nga Skënder Minxhozi/
Kryeqyteti ka parë në javët e fundit shfaqjen e një liste dukshëm më të gjatë se zakonisht, të kandidaturave për kreun e bashkisë. Janë shfaqur diku pa zhurmë e bujë, e diku me sherre vulash e stemash që s’po i zgjidhin dot as gjykatat, e jo më KQZ e Celibashi. Çuditërisht fenomeni i shpërndarjes dhe fragmentimit nuk ka ardhur andej nga pritej, majtas, por në të djathtë të spektrit. E kjo përbën një risi krejt më vete për zgjedhjet lokale të dekadave të fundit.
Pas dhjetë vjetësh në pushtet e majta shqiptare duket mëse e nginjur me pushtetin që ka konsumuar. Një parti dikur atletësh politikë e oratorësh pasionantë, sot është kthyer në një grupim politik gjysëm të fjetur, të ngopur me qëndrimin majë kalit dhe të përçarë në dhjetra sherre të brendshme të gjitha përmasave.
E megjithatë paradoksalisht PS vijon të jetë një stemë politike që rezulton më unitare por edhe më popullore se rivalet e saj në të djathtë. Një fenomen i habitshëm ky, që s’mund të shpjegohet as me “regjimin” që të fut frikën, as me blerjen e votuesve (askush s’mund të blejë një popull të tërë), e as me aftësinë magjike të Ramës e të tjerëve rreth tij për të qenë të preferuarit e publikut.
Në një sondazh të fundit të institutit italian Piepoli, pëlqyeshmëria e shqiptarëve për kreun e maxhorancës ishte 49%, kurse për Berishën ajo zbriste në 27%. Ish-presidentin Meta dhe Lulzim Bashën e donin vetëm 1% e të intervistuarve. Mjafton kjo pasqyrë e shkurtër shifrash që të kuptohet se, edhe pse ka gjysëmn e popullit kundër, Edi Rama mund të ndjehet mjaft i qetë pasi të tjerët përballë tij kanë kundër dy të tretat e votuesve.
Kjo gropë e thellë ku ka rënë opozita, ka shumë shkaqe që duhen kërkuar më thellë sesa fushata elektorale ku po hyjmë. E megjithatë edhe në zgjedhjet e 14 majit, opozita ja ka arritur të krijojë me duart e saj një lëmsh edhe më të madh sesa ai ku e ka futur historia dhe fati.
Nëse i hidhet një sy garës së Tiranës, do të vërehet se përballë të vetmit kandidat të shumicës, kryebashkiakut Erion Veliaj, qëndrojnë jo një, jo dy, por plot katër kandidatë opozitarë. Nga kjo listë, tre persona vijnë nga e njëjta origjinë politike, nga Partia Demokratike.
Kandidimi i Belind Këlliçit (me firmën zyrtare të Ilir Metës), si dhe dalja në skenë e Roland Bejkos nga PD-ja zyrtare dhe Lajla Përnaskës me stemën e PDIU, janë një pasojë direkte e politikës përçarëse që ndoqi Sali Berisha ditën që mori me dhunë selinë e partisë ku aderonin të tre kandidatët e mësipërm.
Ky fragmentim është në fakt edhe më i thellë sesa emrat e rivalëve që do të kafshojnë votat e Foltores në 14 maj. Një ndarje me pasoja është edhe ikja e Dashamir Shehit me LZHK drejt koalicionit me Astrit Patozin, si dhe dalja më vete e Partisë Agrare të Agron Dukës që do të garojë e vetme për këshillat bashkiake.
Vetë Shehi, një figurë e vjetër që e njeh procesin elektoral të Tiranës më mirë se kushdo tjetër, deklaronte në momentin e ikjes se “ka ardhur dita që brenda kampit opozitar të jetë një opozitë me ide ndryshe, nuk mund të shkojmë bllok. Aksi Berisha-Meta, nuk e përfaqëson të gjithë opozitën. Ne nuk i identifikojmë sikur këto janë alternativa. Parulla jonë politike është që nuk mjafton rrotacioni, por duhet ndryshim. Këta edhe nëse vijnë nuk janë ndryshimi, por rotacioni, sepse aty kanë qenë. Gjykojmë që kemi shumë diferenca për të qenë në të njëjtin tren. Gjykojmë që ka ardhur dita që të ketë diversitet brenda kampit opozitar”.
Gara e Tiranës, me një kandidat të shumicës dhe katër të tillë nga ana e opozitës, është pasqyra më e saktë e copëzimit politik dhe elektoral ku e futi Berisha partinë e tij dhe opozitën shqiptare. Mjafton të shohësh fletën e votimit për bashkinë Tiranë, për të kuptuar mishmashin fatal në të cilin e djathta e ka futur veten me duart e saj. Këtu nuk flitet për presion nga shteti, për dhunë të pushtetit mbi votën, për blerje zgjedhësish apo trukime rregullash loje. Bashkimi i munguar i opozitës rreth një emri të vetëm, siç e kërkonte me ngulm Shehi e të tjerët, janë pasoja e një politike përçarëse që ka hallakatur sot kauzën politike dhe aktorët kryesorë të opozitës shqiptare. Kjo ndasi që ka hyrë e është ulur këmbëkryq në shtëpinë e të djathtës e ka një emër dhe një shkaktar. Ata që i shkuan pas, por edhe të tjerët që e kundërshtuan, do të paguajnë edhe më tej faturën e kripur të një humbjeje therëse, përmasat e të cilës do të bëhen të qarta qysh në 15 maj.
I ndjeri Namik Hoti, dikur…dikur, në një intervistë tek Ad Krasta, pati thënë një batutë për Sali Berishën…që ne malokëve (edhe vehten e vet), vetëm plumbi (vdekja) na zbret nga kali, …..dhe të nesërmen Namiku i ndjerë tashmë, ishte tek trauma, i rrahur, i nxirëdhe i paftuar mirë nga hordhitë e salushushushit.
Çuditërisht, sot, Saliani lëshoi batutën e rradhës …që nuk bie rrufeja në halè…
Të lusim perëndinë, që ta marrrë sa më shpejt, sepse drejtësia e SPAK-ug dhe Juri Kim, us – ambasadore, u vjen keq për Sali Berishen.