Në një studim të fundit, u zbulua se bashkëshortët që i bërtisnin njëri-tjetrit, tregonin mospërputhje ose që nuk i diskutonin çështjet që i shqetësonin brenda vitit të parë të martesës, kishin më shumë gjasa të divorcoheshin brenda dekadës së ardhshme.
Jeni përfshirë ndonjëherë në një zënkë të nxehtë kur papritur personi tjetër ka nxjerrë celularin dhe ka filluar të shkruajë? Nëse përgjigjja është po dhe kjo ju ndodh vazhdimisht, atëherë nuk është një shenjë e mirë.
Kjo sjellje është një nga katër reagimet që sipas John Gottman-it, psikolog në Universitetin e Uashingtonit dhe themelues i Institutit Gottman, janë identifikues të faktit se martesa juaj nuk po shkon aspak mirë.
Në fakt, kur Gottman-i dhe psikologu Robert Levenson nga Universiteti Berkeley i Kalifornisë, analizuan së bashku jetën martesore të kohëve të fundit, ata zbuluan edhe tri sjellje të tjera: kriticizmin, mbrojtjen dhe mospërfilljen.
Studiuesit matën se sa shpesh ndodhnin këto fenomene brenda një bisede 15-minutëshe dhe arritën të parashikojnë me sukses se cila martesë mund të shkonte drejt divorcit.
Kur psikologët shtruan pyetje rreth gjërave si: kënaqësia në lidhje dhe sa herë subjektet kishin mendime rreth ndarjes, ata mund të parashikonin se cilat martesa do të merrnin fund me divorc saktësisht në 93 për qind të herëve.
Shifrat, që vijnë nga një studim 14-vjeçar i 79 çifteve që jetojnë në SHBA (21 prej të cilëve u divorcuan gjatë këtij studimi), i prezantuan kërkuesit me katër sjelljet më të zakonshme të personave që mund të shkojnë drejt ndarjes.
Cilat janë katër sjelljet shkatërrimtare për një marrëdhënie?
Mospërfillja
Mospërfillja, një përzierje e zemërimit dhe neverisë është më toksike sesa zemërimi apo negativiteti i thjeshtë. Përfshin idenë e të parit të partnerit/es poshtë vetes dhe jo si të barabartë.
Kjo sjellje sipas Gottman-it, është “puthja e vdekjes” për një marrëdhënie. A shqetësoheni ju për dëshirat e personit të zemrës apo i shpërfillni ato duke vënë në qendër të vëmendjes vetëm kërkesat dhe emocionet tuaja?
Nëse vazhdimisht ndiheni më të zgjuar se tjetri apo më të mirë sesa partneri/ja, me gjasa jo vetëm që do t’i shihni opinionet e tij/saj si më pak të vlefshme se tuajat, por gjithashtu do ta keni më të vështirë të kuptoni perspektivën e personit tjetër.
Kritikat
Ashtu si mospërfillja, kritikat përfshijnë kthimin e një sjelljeje në një deklaratë që shfaq karakterin e personit me të cilin jeni martuar. Le të sugjerojmë se partneri/ja juaj bën një sjellje që ju bezdis. Ju, do të prisnit derisa ta shihnit sërish për t’i bërë me dije se ajo sjellje nuk ju pëlqen apo do të mendonit menjëherë “çfarë po bëj i/e martuar me këtë person?”
Martesa është një lidhje e komplikuar e dy njerëzve. Kritikat janë pjesë e saj, por mënyra se si ju vendosni t’ia thoni tjetrit, tregojnë shumë se sa dashuri keni për të dhe sa të gatshëm jeni ta kaloni jetën bashkë. Nëse kritikat tuaja janë të ashpra dhe aspak mirëkuptuese, martesa juaj do të shkojë pashmangshmërisht drejt divorcit.
Mbrojtja
Nëse e gjeni veten duke luajtur rregullisht rolin e viktimës në situata të vështira me partnerin tuaj, mund të jeni fajtor rreth kësaj ndjesie të vetëmbrojtjes.
Kur ndodh një vonesë për shembull, a jeni i pari që thoni “nuk ishte faji im” kur mbërrini në fund? Apo mendoni se si duhet të akuzoni të tjerët në vend që të merrni përgjegjësinë te vetja? Është shumë e rëndësishme që një partner në martesë të mësojë marrjen përsipër të përgjegjësisë për veprimet e tij, sado e vështirë të jetë situata.
Një nga arsyet pse çiftet divorcohen në vitet e para të martesës, lidhet me negativitetin e shprehur për gabimet që partnerët bëjnë dhe gjetjen gjithnjë të justifikimeve.
Shmangia
E dini kur një zënkë do të fillojë, e ndieni se zemra po fillon t’ju rrahë fort dhe zëri ngrihet pak e nga pak? Por kur çasti arrin kulmin, a e nxirrni celularin nga xhepi dhe largoheni apo thjesht e shpërfillni partnerin tuaj?
Bllokimi i bisedës mund të jetë diçka shumë e dëmshme për një marrëdhënie, pasi ju lë pa zgjidhur shumë çështje, shkruan Shqip. Është e qartë se përfshirja në një zënkë me partnerin është e kundërta e kohërave të bukura. Gjithsesi, duhet që t’u bëni ballë këtyre çasteve.
Mos t’ju zërë paniku
Është e rëndësishme të keni parasysh se shfaqja e një prej këtyre sjelljeve në mënyrë të izoluar është krejtësisht normale, por kur ato përsëriten dhe mblidhen së bashku, kthehen në problem. /Telegrafi/