Kreu i LZHK-së Dashamir Shehi tha se nuk u futën në koalicion me Sali Berishën dhe Ilir Metën, pasi këto të fundi zgjodhën që në zgjedhje të dilnin me dy kandidatë për kryetarë bashkie dhe jo me një.
I ftuar në Euronews Albania, ai theksoi se nëse opozita do të dilnte me një kandidat të përbashkët do ta mbështeste.
Më tej Shehi nënvizoi se nuk është në një mendim me Berishën e Metën ndërsa shtoi se njerëzit që kanë 30 vite në pushtet nuk kanë shpresë.
“Ka një jetë që i themi që të bëjë një tentativë për një kandidat të përbashkët. Të gjejë një formulë që do ishte moderne. Të zgjedhë nëpërmjet një sondazhi. Që të zgjeronim më shumë, mbështetësit e opozitës për kandidatin e vetëm duhej një zgjedhje tjetër. Në një farë mënyre këto i kemi kapërcyer në një formë më të madhe që është lufta kundër Ramës. Qëllimi ishte të nxirrnim një kandidat dhe ta mbështesnim të gjithë si opozitë, kjo ishte detyra jonë.
Kush mendon se duhet të mendojmë të gjithë si Berisha dhe Meta e kanë gabim, sepse ne nuk mendojmë ashtu, mendojmë ndryshe. Ne kemi ide të tjera për Shqipërinë e të nesërmes. Njerëzit që kanë qenë që 30 vite në pushtet nuk përbëjnë shpresën e madhe”- tha ai.
/e.d