28-vjeçarja, e cila vrau 6 persona në një shkollë fillore të Nashville në Tenesi, kishte blerë 7 armë zjarri në mënyrë të ligjshme dhe i kishte fshehur ato në shtëpi. Sipas hetuesve, prindërit e Audrey Hale e ndjenin se vajza e tyre nuk duhet të zotëronte armë edhe pse dyshonin se mund ta kishte blerë një, por që më pas e kishte shitur. E dyshuara ishte nën kujdesin e mjekëve për çrregullime emocionale.
“Intervistuam prindërit e Audrey Heil dhe zbuluam se ajo kishte blerë 7 armë zjarri nga 5 dyqane të ndryshme. Ato ishin blerë në mënyrë të ligjshme dhe u përdorën për tragjedinë e tmerrshme. Ajo ishte në kujdesin e mjekëve për çrregullime emocionale. Prindërit e saj ndjenin se nuk duhej të zotëronte armë, edhe pse dyshonin se mund të kishte blerë”, tha shefi i Policisë.
Gjashtë persona, përfshirë 3 fëmijë të moshën 9-vjeçare, drejtoresha e shkollës dhe dy punonjës të tjerë, u vranë në sulmin me armë zjarri në shkollën private të Krishterë, Covenant School.
Hale, e cila identifikohej si një transgjinore dhe që ishte ish-nxënëse e shkollës, përdori 3 armë për sulmin, përfshirë një armë gjysmë automatike. Para se të ndërmerrte masakrën, 28-vjeçarja kishte vizatuar një hartë të detajuar të shkollës, e kishte shkruar një deklaratë mbi qëllimet e veta.
“Nuk kemi përcaktuar ende motivin. Por mendojmë se nxënësit dhe personat e tjerë u shënjestruan rastësisht. Nuk mendojmë se ajo po kërkonte ndonjë person veçanti, por shkolla dhe kisha brenda saj ishin shënjestra”, tha shefi i policisë.
Pasi publikoi momentet kur agresorja e veshur me pantallona ushtarake dhe kapele bejsbolli shpërtheu derën kryesore dhe hyri me automatikun e drejtuar në godinë, policia zbuloi edhe pamjet që treguan efektivët teksa qëllonin me disa plumba autoren në katin e dytë të shkollës.
Të martën, presidenti amerikan Joe Biden i kërkoi Kongresit të miratonte një ligj të ri për kontrollin e armëve. “U detyrohemi këtyre familjeve më shumë se sa lutjet”, ishte deklarata e tij.
/a.r