Avokati i Popullit, Igli Totozani, zhvilloi dje një takim me emigrantët shqiptarë që jetojnë e punojnë prej vitesh në Selanik të Greqisë. Në këtë bisedë me bashkëatdhetarët në Selanik Totozani ftoi edhe homogun e tij, Vassilis Karydis Ombudsman i Greqisë.
Totozani kërkoi nga homologu i tij grek të mirëpresë dhe trajtojë me përparsi çdo ankesë që kanë emigrantët shqiptarë, të cilët jetojnë dhe kontribuojnë prej vitesh në vendin fqinj. “Është i domosdoshëm bashkëpunimi mes institucioneve tona në ndërmarrjen e aksioneve të përbashkëta për të lehtësuar procedurat dhe burokracitë me të cilat përballen emigrantët shqiptarë”, tha Totozani. Ai vlerësoi edhe angazhimin e deritanishëm mes dy institucioneve, Avokatit të Popullit shqiptar dhe Ombudsmanit grek që përmes presionit pozitiv të ushtruar ndaj qeverive të dy vendeve u gjet një zgjidhje për çështjen e toponimeve në pasaporta.
Vështirësi në dorëzimin e ankesave për shqiptarët që jetojnë në Selanik krijon mungesa e një zyre të Avokatit të Popullit të Greqisë në këtë bashki, ndaj edhe takimi i djeshëm dhe prezenca e Ombudsmanit grek aty ishte një mundësi e mirë për të paraqitur shqetësimet që ata kanë.
Totozani dëgjoi me vëmendje problemet dhe shqetësimet e emigrantëve shqiptarë në Selanik. Një pjesë e madhe e tyre lidhen me mungesa të dokumentacionit, që i detyron të udhëtojnë drejt Shqipërisë, duke shpenzuar kohë dhe para. Shqetësim shumë i madh për ta mbetet çështja e sigurimeve shoqërore, një problem që ende nuk ka gjetur një zgjidhje dhe që kërkon nënshkrimin e një marrëveshje të përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke.
Avokati i Popullit tha se e ka trajtuar këtë çështje që prej vitit 2013, duke dërguar rekomandime të posaçme, ndërsa premtoi se do të vijoj edhe më fort angazhimin dhe bashkëpunimin me homologun e tij, deri në gjetjen e një zgjidhje. “Është shkelje e rëndë e të drejtës së çdo individi që të humbasë përfitimin e pensionit në moshën e tretë, ndërsa ka kontribuar me dekada të tëra duke punuar për shoqërinë, pavarësisht se në cilin shtet ka jetuar. Shoqëria ka detyrimin të shpërblejë çdo individ për kontributin e dhënë gjatë një jete”, tha Totozani.