Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, priti sot në një takim pune Sekretaren e Përgjithshme të OSBE, Helga Maria Schmid. Në takim morën pjesë zëvendëskryetaret e Kuvendit, Ermonela Felaj dhe Agron Gjekmarkaj, Ambasadorja e Shqipërisë në OSBE, Eglantina Gjermeni, si edhe Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Ambasadori Guido De Sanctis.
Gjatë takimit u diskutua për vijimin e bashkëpunimit të suksesshëm, avancimin e reformave, rritjen e besimit publik të institucioneve, dialogun ndërpartiak dhe lirinë e medias si thelbësore për demokracinë, përgatitjen e zgjedhjeve lokale të 14 majit dhe zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, rritjen e transparencës, përgjegjësisë dhe llogaridhënies së veprimtarive parlamentare, modernizimin dhe zbatimin e praktikave inovative në shërbimet parlamentare, monitorimin efektiv të Qeverisë dhe institucioneve, fuqizimin e grave, mbështetjen e luftës së drejtë të Ukrainës, rritjen e kontributit për mbrojtjen e paqes e të sigurisë etj.
Kryetarja Nikolla e falënderoi Sekretaren e Përgjithshme Schmid për kontributin në fuqizimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë, Kuvendit dhe OSBE-së gjatë mandatit të saj dhe vuri në dukje bashkëpunimin shumë të mirë të Kuvendit me Prezencën e OSBE në Tiranë.
“OSBE është një partner i besueshëm dhe i rëndësishëm për Shqipërinë, për institucionet dhe qytetarët. Përvoja e fituar gjatë Presidencës shqiptare të OSBE-së 2020, shërben si një aset i rëndësishëm i këtij partneriteti. Këtë përvojë Shqipëria po e përdor edhe në kontributin si një anëtare jo e përhershme e KS të OKB. Ne do të vijojmë të bashkëpunojmë me OSBE, Asamblenë Parlamentare dhe strukturat ekzekutive, për konsolidimin e institucioneve demokratike dhe rritjen e kontributin tonë në shërbim të paqes dhe sigurisë në rajon, kontinent e më gjerë. Ndërkohë, po marrim të gjitha masat për garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme vendore në 14 maj.”, theksoi znj. Nikolla.
Zëvendëskryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj, informoi mbi punën e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore si edhe përgatitjet për garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme vendore në 14 maj. Zëvendëskryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, vuri në dukje disa nga rreziqet e procesit zgjedhor si edhe nevojën thelbësore të zbatimit të rekomandimeve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri.
Sekretarja e Përgjithshme e OSBE, Helga Maria Schmid, falenderoi Kryetaren Nikolla për bashkëpunimin e Shqipërisë dhe të Kuvendit me Organizatën dhe nënvizoi se Presidenca shqiptare e OSBE gjatë vitit 2020 ishte shumë e suksesshme dhe në një vit të vështirë e sfidues. Sekretarja Schmid vlerësoi kontributin e Shqipërisë në KS të OKB për mbështetjen e luftës së Ukrainës dhe mbrojtjen e paqes. Schmid vlerësoi arritjet në fushën e reformave, sidomos reformës në drejtësi, dhe nënvizoi se dialogu ndërpartiak, liria e medias dhe llogaridhënia e institucioneve janë thelbësorë për demokracinë dhe vuri theksin në përgatitjen për zgjedhjet vendore të 24 majit dhe rëndësinë e zbatimit të rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Sekretarja Schmid vlerësoi arritjet e Shqipërisë në fushën e përfaqësimit dhe fuqizimit të grave dhe theksoi se k është një model i shkëlqyer edhe për vendet e tjera.
/e.d