Në kohën kur Svetlana Timofeva, blogerja ruse po përpiqet me çdo kusht të pengojë ekstradimin drejt vendit të saj, me argumentin se po përndiqet politikisht, hetimet nga prokuroria e Elbasanit ndaj 33-vjeçares dhe dy miqve të saj, Mikhail Zorin dhe Fedir Alpatov, kanë mbetur peng i zbërthimit të 5 telefonave celularë.
Në momentin e arrestimit të dy rusëve dhe ukrainasit Alpatov, të cilët tentuan të hynin në uzinën ushtarake të Gramshit, iu sekuestruan nga ana e policisë 8 aparate celulare, tre prej të cilëve janë ekspertuar. Burime pranë grupit të hetimit, thonë se nga komunikimet e tyre, nuk ka dalë asgjë e vlefshme për hetimin, veç faktit që është identifikuar kontakti i tyre në Shqipëri, por ende nuk është thirrur për t’u marrë në pyetje. Ndërsa celularët e tjerë nuk janë mundur të hapen dhe ekspertohen, ndaj prokuroria është e pavendosur nëse mund t’i drejtohet vendeve partnere për ekspertimin e tyre.
Prokuroria deri më tani, ka dëshminë e Mikhail Zorin i cili ka pranuar të bashkëpunojë me autoritetet tona, ndërsa nga këqyrja e dronit dhe aparatëve celularë, janë zbuluar pamje dhe foto të veprave te ndryshme inxhinierike, që njihen dhe si infrastrukturë kritike civile, si dhe baza apo reparte ushtarake. Blogerja Timofeva dhe dy të tjerët, u arrestuan gushtin e 2022, fill pasi rusi Zorin kishte sulmuar me spraj dy ushtarakë Brenda rrethimit të uzinës së Gramshit dhe po mbahen në paraburgim nën dyshimet për spiunazh.
/s.f