Kreu i Rithemelimit, Sali Berisha përsëriti akuzat e tij ndaj kryetarit të komanduar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, për të cilin tha se po mbahet peng nga kryeministri, Edi Rama me krimet e vëllait të tij.
Gjatë një takimi në Kurbin të Lezhës me simpatizantë demokratë para të cilëve prezantoi Behar Haxhian, kandidatin për kreun e bashkisë në 14 maj, Berisha bëri thirrje që asnjë demokrat të mos ndjekë Alibeajn dhe Bashën, duke i konsideruar si pengje të Ramës.
“Lulzim Brava dhe Alibasha janë të lidhur me lidhje krimi me Edi Ramën. Lulzim Brava është i marrë peng me procesin e larjes së parave, 700 mijë dollarë për të cilat në çdo gjykatë të Shqipërisë dhe botës shkon të paktën 6 vite burg. Por e shpëtoi Rama për ta marrë peng. Por edhe Alibrava i ka jo më pak të fuqishme lidhjet me krimin.
Asnjë demokrat nuk ka detyrime ndaj vëllait të tij, një kriminel me armë, një plaçkitës i fshehur prej tij. Nuk përkulemi kurrë ndaj pengjeve të Edi Ramës. Asnjë demorkat të mos gabojë të shkojë pas lidhjeve të krimit. Shtëpia e Ramës është shtëpi krimi”-tha Berisha.
Ndërsa më tej, duke folur për emigrimin e shqiptarëve, Berisha tha se mijëra policë dhe ushtarakë kanë dhënë dorëheqjet nga postet e tyre dhe janë larguar pasi me rrogat që merrnin nuk mund të përballonin jetesën në Shqipëri.
“Sot arsimtarët sapo gjejnë mundësinë më të vogël, braktisin arsimin. Sot 2500-3000 policë kanë dorëzuar dorëheqjen e tyre, sot gjysma e ushtarakëve shqiptarë kanë paraqitur dorëheqjen e tyre. Të gjitha këto për një shkak të vetëm, sepse rrogave të tyre, me rrogat që marrin nuk përballojnë kurrsesi jetën”- u shpreh Berisha./m.j