Komisioni Rregullator caktoi sot mënyrën e përcaktimit të subjekteve zgjedhore në fletën e votimin. Në mbledhjen e zhvilluar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në orën 15:00, u miratuan disa ndryshime në mënyrën e hedhjes së shortit që do të përcaktojë renditjen e subjekteve zgjedhore.
Procesi do të zhvillohet në 4 faza (fjala raund u zëvendësua me fjalën fazë).
Në fazën e parë përfshihen në short subjektet zgjedhore të cilat kanë regjistruar lista shumemërore kandidatësh në të gjitha zonat zgjedhore, rrjedhimisht Partia Socialiste dhe koalicioni “Bashkë Fitojmë” që e plotësojnë këtë kusht.
Në fazën e dytë përfshihen në short subjektet zgjedhore të cilat kanë regjistruar listat shumemërorë në më shumë se 31 zona zgjedhore. Konkretisht grupi i deputetit Enkelejd Alibeaj. Por, nëse Alibeaj do të tejkalojë numrin e kandidatëve, mund të renditet edhe në fazën e parë.
Në fazën e tretë përfshihen në short subjektet zgjedhore të cilat kanë regjistruar listat shumemërorë deri në 30 zona zgjedhore. Këtu përfshihet partia ‘Lëvizja Bashkë’ e Arlind Qorit.
Në fazën e katërt përfshihen në short kandidatët e propozuar nga zgjedhësit për këshillin e bashkisë, në rast se për një zonë zgjedhore regjistrohen dy ose më shumë kandidatë. Rrjedhimisht, të gjithë të pavarurit janë në fund të listës.
“Shorti do të hidhet ndërmjet tyre. Renditja e kandidatëve të propozuar nga zgjedhësit bëhet në raundin e katërt. Në renditjen përfundimtare kandidatët e propozuar nga zgjedhësit për këshillin e bashkisë vendosen pas renditjes së partive politike dhe koalicioneve,”- u tha në fund të mbledhjes./m.j