Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka kërkuar krijimin e një filmi kushtuar grevës së minatorëve të Trepçës, që kishte ndodhur 27 vite më parë. Sipas tij një film më së miri do të dokumentonte përpjekjen dhe lidhjen e minatorëve me gjigantin industrial, transmeton Koha.net. “Me të përfunduar aktivitetin për hapjen e Javës së Minatorit në Stantërg, kërkova nga bashkëpunëtorët e mi që të shohin mundësitë dhe procedurat që gjatë këtij mandati të financojmë dhe realizojmë një film që paraqet ngjarjet e para 27 viteve në minierën e Trepçës. Sakrifica dhe vendosmëria e minatorëve bëri kthesën e madhe. Aktualisht fokusin dhe energjinë e plotë e kemi në ligjin dhe strategjinë e Trepçës, por një film i tillë do të dokumentonte edhe më mirë përpjekjen dhe lidhjen e minatorëve me gjigantin industrial”, ka shkruar Mustafa në Facebook.