Anëtarët e grupit kriminal që u arrestuan të mërkurën në Tiranë gjatë operacionit “Harta”, që shpërndanin lëndë narkotike kokainë, heroinë dhe kanabis, kishin kodet e tyre të komunikimit për të mos rënë në sy, jo vetëm në komunikimet verbale por edhe në celular.
Disa nga kodet që ata përdornin ishin vëllai i madh, vëllai i vogël dhe pluhur zane referuar kokainës apo seqe referuar kanabisit që korrespondojnë me lëndën narkotike që ata shpërndanin. Vëllai i madh dhe vëllai i vogël lidhet me sasinë e kokainës që do të shpërndahej nga personat e përfshirë. Policia dhe prokuroria ka administruar dhjetëra telefonata për të siguruar fillimisht deshifrimin e kodeve dhe më pas sigurimin e provave për veprimtarinë kriminale.
Zona kryesore e shpërndarjes, sipas burimeve, ishte rreth e përqark gjimnazit “Petro Nini Luarasi” dhe lokaleve përreth. Një pjesë e mirë e anëtarëve të grupeve ishin më herët të skeduar, por për shkak të mungesës së provave nuk ishin arrestuar. Gjatë javëve të fundit, përmes një bashkëpunimi të frytshëm me prokurorinë u bë e mundur vënia e tyre në përgjim dhe dokumentimi i veprimtarisë kriminale.
/s.f