Nga Frrok Çupi
Këtu buzë Lanës në kryeqytet është luajtur drama e vërtetë e Partisë Demokratike; këtu lindi e këtu i dha fund. Atë ditë kur po lindte, duket si biblike, por kështu ndodhi: Studentët firmëtarë, që nga qyteti i Studentëve rrodhën përposhtë kodrës, drejt Lanës ku edhe u përleshën me policinë. Pastaj, me Lanën u shënjua fati total i PD. U ndërtuan dhe u shemben dy kulla mesjetare buzë Lanës, të dyja mbanin shpirtin e PD-së.
Kulla e parë,
Ishte ajo që u ndërtua gjatë ‘republikës së parë’ të PD, dhe kulla e dytë, kur PD e kishte varrosur republikën. Nuk e mbani mend të parën? Me siguri që po. Ishte një kullë e paligjshme, ngritur aq afër sa lagej nga uji i Lanës, aty ku sot ndodhet selia e OSHEE, diku në periferi të Pallatit me Shigjeta. Gjithë ndërtimet e paligjshme alias Kandahar të PD buzë Lanës dhe në Parkun Rinia, u shembën; veç ajo kullë e vetme mbeti për vite. U quajt ‘Kulla e gjakut’. Një malësor, militant i PD, ishte ngujuar në atë kullë bash për hir të gjakmarrjes që kishte shtënë me fqinjin e vet atje në Tropojë. Kjo ishte kulla e parë…
Kulla e dytë është kjo që Saliu e mori me dhunë e me zjarr, në 8 janar 2022, ish SHQUP-i. ‘Bash buzë Lanës u ba nami/ Po liftojnë Seferi e Dani’. Folklori i vjetër i vrasjes mes vëllezërve, vinte e përshtatej si një mallkim. Mallkimi i Lanës për PD vjen me ngjashmërinë e lumit Jordan për Palestinën. Edhe lumi Jordan e përshkon mes përmes Lindjen e Mesme dhe fatin e Palestinës. Atu ndodhet Lartësia Golan ku në dekada është bërë luftë e përgjakshme mes Izrael e Palestinë. Aty është Bregu Perëndimor, aty dhe Rripi i Gazës që po luftë përjetojnë. Dhe vetë lumi Jordan, përmes pisllëkut të luftërave nxiton drejt vdekjes që edhe emrin e ka Deti i Vdekur. Edhe pse në jetën e tij lumi i famshëm prej 150 milje i gjatë, ishte quajtur ‘i bekuar’… Jo si Lana, sigurisht. Skena e ‘bekimit’ mu kujtua në datë 8 Janar 2022, në mes të luftës për jetë a vdekje në kullën e PD, mes Saliut dhe Lulit. Disa militantë lanë për pak zjarrin e luftës dhe u krodhën në ujin e Lanës, hidhnin ujë në fytyrë e nuk e di a laheshin a luteshin. Gjon Pagëzori ishte pagëzuar në Jordan, por jo në këtë lloj ujë që mbledh mbetjet e Tiranës. Buzë Lanës PD ka bërë gjithë atë luftë e gjithë atë ‘kataklizëm’ me ujë si Lana ‘qelibar’. Lana e turbullt në 365 ditë, shënjoi jo vetëm fillimin dhe fundin e PD, por gjithë jetën e saj. Jetë në fitore, jetë në gjyq, jetë në revolucion, jetë në sakrificë, jetë në vrasje, jetë në dhunë, jetë në purgator. Të nëntë rrathët e ferrit, PD i kaloi buzë Lanës.
Këtu marshoi PD triumfalisht në 22 mars 1992. Këtu i ndërtuan pikat e fajdeve, në Hotel Dajti i përuroi Berisha skemat mashtruese gjatë një mbrëmjeje Gala. Në Parkun Rinia, që ndodhet po buzë Lanës, u ngritën tempujt e mirëqenies së PD, me birra e me rrape të thara nga urinimet. Vetë Berisha i madh një ditë vendosi të lërë Brrakën dhe të vendosej diku afër Lanës. Këtu u derdhën lot militantësh kur Berisha i PD dha gjasme dorëheqjen në 2013. Diku afër Lanës qeveria e PD vrau katër qytetarë që po protestonin kundër korrupsionit të qeverisë. Madje, krejt buzë Lanës, ndodhi edhe ‘pagëzimi’ i Berishës si njeri i rrahshëm, i dhunshëm por edhe i mundshëm për t’u dhunuar. Në 6 dhjetor 2022 një grusht djaloshari e hodhi përjetë përdhe. Gjithçka ndodhi buzë lumit. Nuk është biblike, por është e shtirë kjo që ka ndodhur.
Vetë këta e kanë sajuar fatin e vet, sipas fatit që mund të kishin në Lindjen e Mesme, buzë Jordanit. Në jetën e vet PD ndërtoi disa lumenj si vija ndarëse e përçarëse të kombit. Në vitin 1997, qeveria e PD vuri kufirin ndarës në Vjosë dhe deklaroi se ‘pjesa jugore do të sulmohet me armë e me helmim’. Por shqiptarët nuk e pranuan kufirin në Vjosë. Pas kësaj PD u ngjit në Shkumbin dhe dogji e vrau në Cërrik, në Kuçovë, në Elbasan. Në imagjinatën e PD lumi ndarës si Jordani në Arabi, u vendos të ishte Shkumbini. Por edhe këtu reaguan shqiptarët e nuk e pranuan ndarjen e kombit. Atëherë u përdor lumi Mat si Jordani ndarës… Pastaj Drini. Shqipëria e PD-së mbeti një copë vend me pak fshatra në Tropojë e Has…
… Por prapë për në Lanë e lanë fatin
“………..në mes të luftës për jetë a vdekje në kullën e PD, mes Saliut dhe Lulit. Disa militantë lanë për pak zjarrin e luftës dhe u krodhën në ujin e Lanës, hidhnin ujë në fytyrë e nuk e di a laheshin a luteshin.”
Një perifrazim real i ngjarjes o Frrok Çupi.
PD u këthye në Parti halé.
Aspiratë e një populli, u këthye në zhgënjimin e një populli.
Turp për të turpëruarit.
Anës detit i pa larë
Buzë Lanës me mut në ballë…
Më bukur, s’ka se ku të vejës PD e ishit Berisha….