Grupimi i Alibeajt, me përfaqësues ligjor Indrit Sefën ka dorëzuar sot në Komisionin e Ankimeve dhe Sanksioneve kërkesën për të shfuqizuar vendimin e marrë nga KQZ për regjistrimin si subjekt zgjedhor të koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
Në ankesën e depozituar në KAS, thuhet se ky vendim duhet shfuqizuar pasi ende në aktet e depozituara rezulton si pjesë e marrëveshjes apo koalicionit, subjekti politik Partia Demokratike e Shqipërisë e përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit.
“Pavarësisht vendimit përfundimtar të Komisionerit, në aktet e depozituara në KQZ vijon të rezultojë si pjesë e kërkesës, pjesë e marrëveshjes dhe për pasojë pjesë e pretenduar e koalicionit, subjekti politik Partia Demokratike e Shqipërisë, fakt i cili në opinionin e gjerë publik krijon paqartësi lidhur me pjesmarrjen e subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë në koalicionin Bashkë Fitojmë”, theksohet në shkresë.
Sipas kësaj kërkese, grupimi i Alibeajt pretendon se emërtimi i palës tjetër si Partia Demokratike e Shqipërisë krijon konfuzion dhe është në shkelje të ligjit. Po ashtu, sipas tyre marrëveshjes së koalicionit i mungon përcaktimi i numrit të kandidatëve nga secila parti.
Kujtojmë se koalicioni i regjistruar në KQZ tashmë përmban 3 parti, pasi u vendos që Partia Demokratike me Sali Berishën nën cilësinë e kryetarit të përjashtohej.
/a.r
Më poshtë, shkresa e depozituar në KAS: