Kreu i qeverisë ka shpërndarë një video nga ceremonia. Ai u prit nga ministri grek Dendias. Ndërkohë Rama shoqërohej nga bashkëshortja Linda Rama dhe djali i vogël, Zaho. Në video dallohet teksa ministri grek mban për dore djalin e kryeministrit Rama teksa ngjisin shkallët.
Ndërkohë gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama u shpreh mirënjohës për pritjen. Ai theksoi se është hera e parë që viziton një vend si kryeministër dhe në çantë nuk mban vetëm shënimet, por edhe artin e tij. Kreu i qeverisë nuk la pas batutat.
“Meqë ra fjala unë jam artisti më i mirë ndër kryeministra dhe padyshim kryeministri më i mirë ndër artistë”, tha Rama.
Po ashtu, kreu i qeverisë u shpreh se fjalimi që mbajti në këtë ceremoni është një prej të cilave e ka emocionuar më shumë sepse nuk mbajti “fjalim prej politikani, por rrëfim prej artisti”.
Në fjalën e tij, Dendias vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve duke u shprehur se Greqia e sheh Shqipërinë si një fqinj dhe mik të ngushtë duke shpresuar që së shpejti ajo të jetë një anëtare e familjes evropiane.
/a.r