Qeveria shpëtoi, por jo qytetet në Francë. Mijëra njerëz protestuan dhunshëm në Paris kundër reformës së presidentit Emmanuel Macron për rritjen e moshës së pensioneve nga 62 në 64 vjeç.
Tashmë ky ndryshim u shndërrua në ligj, falë edhe mbijetesës së qeverisë ndaj dy mocioneve të mosbesimit nga opozita. Nëse kryeministrja dhe kabineti i saj do të shkarkohej në Asamblenë Kombëtare, Macron do të duhej të emëronte një qeveri të re ose të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Votimi erdhi pasi shefja e qeverisë, Elisabeth Borne, përdori një fuqi speciale kushtetuese, të quajtur artikulli 49:3, për të miratuar reformën në pensione pa votim në Asamblenë Kombëtare javën e kaluar.
Pasi mocionet e mosbesimit dështuan, deputetët e së majtës paraqitën disa pankarta në sallë, në të cilat shkruhej: “Beteja vazhdon!” dhe “Do të takohemi në rrugë!”, si dhe përsëritën thirrjet ndaj kryeministres për të dhënë dorëheqjen. Në rrugët e Parisit, revolta popullore ishte dhe më e ndezur, me protestues të shumtë që i vunë flakën objekteve të ndryshme dhe u përleshën me policinë. Forcat e rendit ndërhynë duke arrestuar 101 persona.
/a.r