Gazetari Denis Dyrnjaja deklaroi se brenda disa ditësh, ish zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj do të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), në cilësinë e të pandehurit.
Në një intervistë për Euronews Albania, Dyrnjaja tha se mos pjesëmarrja e Ahmetajt në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, tregon se ai dhe kryeministri Edi Rama janë ndarë përfundimisht.
“Pritet Arben Ahmetaj të shkojë në cilësinë e të pandehurit në SPAK, mesa po duken gjasat. Mendoj se do të jetë çështje ditësh edhe kjo histori, përtej faktit të ankimimeve dhe kapjeve me procedurë. Avokatët mbrojtës janë kapur të procedura, që duhej të merrej leja në Kuvend për të kontrolluar banesat.
Patjetër që po, përplasja është shumë e hapur. Ahemtaj tha se kryeministri nuk mund të bëjë gjyqtarin sepse është nuk është një pozicion që i shkon përshtat, i shkon përshtat vetëm roli i kryeministrit. Rama u përgjigj menjëherë, i tha që po të isha unë, do ishte më keq për ty. Natyrisht, ishte një sinjal shumë i qartë që të dy janë ndarë dhe shumë keq”, theksoi ai.
/s.f