Izet Shulku është një njeri ekstremesh e aventurash. Zhytje në liqene të akullta, ujëvara, dëborë teksa në duar mban ushqimin që ha janë vetëm disa nga gjërat që ai bën në çfarëdo stine. Gjatë intervistës me Alma Çupin për “Histori Shqiptare” në Tv Klan ai tregon se kjo lidhje me natyrën ka ardhur nga kushtet e vështira të emigracionit kur i është dashur të mësojë forcën e saj.
Alma Çupi: Si ka qenë lidhja me natyrën, e ke pasur gjithmonë këtë lidhje apo ka ardhur kohët e fundit?
Izet Shulku: Me thënë të drejtën, kjo ka ardhur kur ikëm në Greqi. Duke ikur nga policia, nga ushtria ne detyroheshim të kalonim lumin në ujëra të ftohta. Ishte dhe dimër, ishte dhe acar po këtu kur futemi në ujëra të ftohta, kemi shtëpinë e shkojmë të lahemi kurse aty ku do laheshe? Do futeshe natën, në mëngjes herët, ditën si gjithë refugjatët.
Alma Çupi: Aty mësove ti fuqinë e natyrës.
Izet Shulku: Aty mësova fuqinë e natyrës për arsye se po të futej trupi në ujë nxehej.
Alma Çupi: Nuk kishe ftohtë?
Izet Shulku: Nuk kishe ftohtë pastaj.
Alma Çupi: Cilën rrugë more për të ikur në Greqi atëherë?
Izet Shulku: Atëherë kemi dalë nga Kapshtica. Tre herë i kemi shkuar një mali vërdallë dhe prapë kur dilnim në mëngjes…
Alma Çupi: Shkonit prapë te i njëjti vend.
Izet Shulku: Te i njëjti vend. Ne shyqyr që jemi gjallë, jo unë po të gjithë shqiptarët se të shohësh sakrificat dhe vuajtjet… kurse sot nëse bën Gramën e bën për qejf, merr një copë bukë me vete dhe është adrenalinë, është sport. Është krim mos t’i vizitosh këto mrekulli sot. Atëherë e bënim prej halli, me bukë, pa bukë, na zinte gjumi rrugëve. Kemi pirë ujë në liqene, hurdha i themi ne, ku ishte bërë uji jeshil, nuk kishte hyrje-dalje. Vinim kanatieren, e filtronim me kanatiere që mos të pinim ato algat që ishin aty.
Alma Çupi: E tmerrshme!
Izet Shulku: Me një fjalë vuajtjet tona kanë qenë kështu. Na zinte gjumi në këmbë, ishim çuna të rinj atëherë, 20-22 vjeç.
/a.r