Ish-kryeministri Sali Berisha ka kërkuar që Partia Demokratike të mobilizojë çdo resurs të saj që 14 maji të jetë një ditë fitore në Tiranë për kandidatin Belind Këlliçin dhe për pluralizimin.
Gjatë takimit me kryetarët e degëve në Tiranë, ai u shpreh se “duke filluar nga Rama dhe duke përfunduar te çdo bashkiak i tij, për shkak të firmave që kanë hedhur, janë të përshtatshëm për hekura.”
Sali Berisha: “Një falenderim të përzemërt për punën që po bëni në këtë fushatë e cila për nga rëndësia e saj tejkalon çdo fushatë tjetër politike dhe vendore që është zhvilluar nga ’92-shi deri më sot.
Sytë e të gjithë Shqipërisë janë të drejtuar nga Tirana. Ju keni konstatuar, ka një optimizëm të madh. Ka një entuziazëm të qytetarëve dhe demokratëve kudo që shkoj, gjej një situatë të elektrizuar. Ka një vetëdije të madhe, se kjo është një fushatë, po aq sa është vendore, po kaq është politike dhe e një rëndësie të jashtëzakonshme.
Edi Rama duhet të marrë në këtë fushatë përgjigjen më të hidhur që meriton. Është në detyrimin e PD të bëjë gjithçka, për të mobilizuar çdo resurs të saj, në mënyrë që 14 maj të jetë një ditë fitoreje për pluralizmin, të jetë fitore në Tiranë për Belind Këlliçin. Fitore për kandidatët e Lirisë, të cilët janë sot për herë të parë në 32 vite, kandidatë të zgjedhur me procedurën më demokratike dhe më të civilizuar që ekziston të forcave politike.
Edi Rama, ju e shihni, duke filluar nga ai vetë, duke përfunduar te çdo bashkiak i tij, për shkak të firmave që kanë vjedhur, janë të përshtatshëm për hekura.
Absolutisht, është 10 herë më i inkriminuar Rama, se sa narko-trafikanti i Bulqizës, të cilin e arrestuan. Duhej arrestuar 4 vite më parë, vodhi për 4 vite, por çfarëdo që bëri, ai nuk ka vjedhur as 1/100, as 1/300 e vjedhjeve që ka bërë Edi Rama. Këtë duhet ta ketë të qartë çdo shqiptar.
Pra, kemi të bëjmë me rivalë të inkriminuar kokë e këmbë, si Artur Bushi, apo ky i Bulqizës, janë pa përjashtim të gjithë bashkiakët e PS, sepse kanë ndjekur shembullin e Edi Ramës, Belinda Ballukut, Arben Ahmetajt, me radhë.”
/e.d