Ka prodhuar polemika dënimi me burg i zonjës Diana Kolaveri (Hoshi) vetëm 8 ditë pasi solli në jetë djalin. Zonja Kolaveri është është dënuar nga gjyqtarja e Tiranës, Ardiana Bera, me 1 muaj e 20 ditë burg për akuzën e braktisjes së fëmijës, parashikuar nga neni 124 i Kodit Penal. Gjykata e Tiranës e ka dënuar Diana Kolaverin në qershor të vitit 2022, por vendimi i Adriana Berës është ekzekutuar nga Policia më 7 Mars të këtij viti, vetëm 8 ditë pasi Diana Kishte lindur djalin.
Ndërkaq, të afërmit e Diana Kolaverit kanë theksuar se ajo nuk e ka braktisur vajzën e saj, por është detyruar të largohet pasi ish-bashkëshorti e dhunonte dhe nuk e lejonte të takonte vajzën. Gjithsesi, edhe nëse fakti penal ekziston, pse prokurori Endrit Bimi që ka bërë kërkesën dhe gjyqtarja Adriana Bera që ka marrë vendimin, nuk zgjodhën një alternativë dënimi, por çuan një grua në burg?
Kaq e rrezikshme paskërka qenë një grua saqë dënimi me gjobë ia kthyen në dënim me burg dhe burgun nuk ia konvertuan dot më shërbim prove? Burgut i kanë shpëtuar nga ana tjetër teafikantë, figura të krimit, personazhe me armë pa leje, grabitës, dhunues, por edhe vrasës.
Adriana Bera që çoi në burg Diana Kolaverin me akuzën e braktisjes së fëmijës, duke lënë pa përkujdesjen e nënës djalin terë ditësh, është po e njëjta gjyqtare, e cila në 8 shkurt të vitit 2013, shpalli të pafajshëm Ndrea Prendin dhe Agim Llupon, për të cilët prokuroria kërkonte 23 vite burg për Prendin dhe 25 për Llupon, për vrasjen e Faik Myrtajt dhe Ziver Veizit në protestën e 21 Janarit 2011. Adriana Bera ishte pjesë e trupës gjykuese bashkë me Besnik Hoxhën dhe Ariana Cacon.
Ambasada Amerikane reagoi e tronditur nga ky vendim. Në vijim, Apeli i shpalli vrasës Ndrea Prendin dhe Agim Llupon, ndonëse vrasjet i konsideroi si vrasje nga pakujdesia. Ndërkaq, Adriana Bera, që kishte shpallur të pafajshëm vrasësist e 21 Janarit, në korrik të vitit 2021, kishte dënuar me 1 vit burg protestuesin e 21 Janarit, Lin Ndreun. Këto episode tregoi se çekiçi i gjyqtares rëndon mbi të dobëtit.
Për Ardiana Berën procesi i Vetingut ka nisur që në dhjetor rë vitit 2020. Edhe pse kanë kaluar më shumë se sa dy vite, ende gjyqtarja nuk ka dalë para Komisionit për t’u njohur me rezultatet e verifikimit./Adriatik Doçi-shqiptarja.com/m.j