Në një tryezë dedikuar zgjedhjeve, organizuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Komisioneri Celibashi kërkoi nga garuesit të mbajnë në konsideratë shqetësimet e ngritura nga OSBE/ODIHR, pa harruar pastërtinë e figurës së kandidatëve.
“Është thelbësore që kandidatët që do t’i paraqiten zgjedhësve të jenë me integritet”, tha Komisioneri Shtetëror i zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.
Ambasadori i OSBE dhe zv/ambasadori amerikan cituan gjithashtu raportin e ODIHR duke kërkuar që të mos përsëriten problemet e evidentuara në të shkuarën.
“Shitblerja e votave është një krim zgjedhor që duhet ndjekur penalisht sepse synon të shkatërrojë besimin e qytetarëve te procesi. Shpërdorimi i burimeve administrative është theksuar gjithashtu si problem potencial. Është e rëndësishme që të kemi kandidatë me integritet. Ka disa sjellje që shkojnë përtej rregullave, është një çështje etike. Mbetet ende punë dhe kjo mund të bëhet nëse institucionet dhe partitë politike hapin një proces dialogu”, tha ambasadori i OSBE, Guido De Sanctis.
“Raporti nënvizon zhvillimet por edhe mangësitë, veçanërisht shit-blerja e votës, presioni ndaj votuesve dhe keqpërdorimi i burimeve shtetërore dhe të dhënave personale. SHBA i bën thirrje, qeverisë, partive politike dhe institucioneve shtetërore që t’i implementojnë këto rekomandime. Partitë politike duhet të verifikojnë kandidatët për t’u siguruar se plotësojnë kërkesat e ligjit dhe ato të qytetarëve shqiptarë për kandidatë të pastër”, tha Demian Smith, zv.ambasador i SHBA në Tiranë.
Nga palët politike, mazhoranca foli për përparimin e bërë ndër vite me proceset zgjedhore në Shqipëri, ndërsa opozita tregoi të kundërtën, duke cituar përkeqësimet e evidentuara nga vetë raportet e ODIHR në 20 vitet e fundit. Demokrati Alibeaj pohoi se nuk mund të ketë zgjedhje nëse PD nuk regjistrohet në garë.