Nuk ndalen fatkeqësitë natyrore në Turqi. Banorët e zonave që u goditën nga tërmeti 7.8 ballë i shkallës Rihter po jetojnë momente tragjike pas reshjeve të dendura të shiut të orëve të fundit, që shkaktuan përmbytje dhe vdekjen e të paktën dhjetë personave, mes tyre një fëmijë 1 vjeç e gjysmë.
Zonat që morën goditjen më të madhe ishin Sanliurfa, ku humbën jetën katër persona dhe Antijaman, ku një person humbi jetën. Siç u bë e ditur, katër të vdekurit në Sanliurfa humbën jetën në një nënkalim të përmbytur.
Pesë të tjerë të vdekur u gjetën në një apartament nëntokësor në rrethin Tadogan. Sipas Yeni Safak, pesë sirianë u shpëtuan nga ekipet e shpëtimit.
Siç shihet në videot e publikuara nga mediat turke, sasia e madhe e ujit përmbyti kampet me tenda në të cilat jetojnë personat që humbën shtëpitë e tyre pas tërmeteve vdekjeprurëse të shkurtit.
Në video të tjera vërehet se ujërat e vrullshëm kanë “zhdukur” rrugët, duke tërhequr zvarrë makina dhe objekte të tjera pas tyre, ndërsa qytetarët bien në ujëra për të shpëtuar nënat dhe fëmijët.
Në Sanliurfa, ishte gjithashtu e nevojshme të evakuohej një spital me pacientë të ICU që transferoheshin në institucione të tjera infermierie, ndërsa dy zjarrfikës rrezikoheshin të mbyten nën një kalim nëntokësor.
Meteorologët paralajmërojnë, se dita e sotme me gjasë do të jetë edhe më e rëndë për nga intensiteti i reshjeve të dendura, që pritet të vazhdojnë deri në orët e vona të natës. Recep Tayyip Erdogan shprehu ngushëllimet e tij për vdekjen e njerëzve në zonat e goditura nga tërmeti gjatë fjalimit të tij në një mbledhje të grupit parlamentar të partisë së tij, duke theksuar se ministrat e qeverisë dhe ekipet e shpëtimit ndodhen në zonë.