Dan Hutra, autori i vrasjes së 3 grave dhe plagosjes së 3 të tjeravë më 1 Mars të këtij viti, ka qenë i dënuar më parë për vrasjen e gruas së tij të parë, Dafina Havalja.
Gracka u quajtur operacioni i policisë për kapjen e vrasësit Dan Hutra 16 vite më parë. Emisioni Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus i është rikthyer në mënyrë të detajuar fakteve dhe çështjeve penale e kriminale që Dan Hutra ka kryer ndaj familjarëve dhe partnereve të tij.
Ai ishte njohur me Dafina Havaljan nëpërmjet një shkuesi nga Kukësi. Familjes Havalja i ishte kërkuar miqësi dhe kishin pranuar ta jepnin vajzën pa e njohur mirë dhëndrin dhe të shkuarën e tij, i cili në vitin 2003 kishte qenë i dënuar pasi kishte dhunuar nënën e tij dhe njërën nga kunatat, ndërsa me kunatën tjetër abuzoi seksualisht.
Familja Havalja pranoi që vajza e tyre Dafina dhe Dani të bashkëjetonin me njëri-tjetrin dhe ia dhanë pa dasmë e pa fejesë.
8 muaj më vonë ata e morën të vdekur Dafinën e cila kishte rënë në grackën e Dan Hutrës, grackë për të cilën ajo pak orë para se Dani ta vriste kishte njoftuar nënën e saj se Dani e kishte mbyllur në një dhomë dhe po e kërcënonte ta vriste.
Por si e mësoi familja e Dafinës së Dani u kishte vrarë të bijën? Në një intervistë për shtypin e shkruar të asaj kohe, Abdulla Havalja dha detajet që nga njohja mes tyre dhe deri tek fakti që kishin mësuar lajmin e rëndë dhe pamundësinë ekonomike për të udhëtuar nga Klosi drejt Tiranës, ku bashkëjetonte çifti.
Kur dhe si e mësuat ngjarjen e rëndë?
Abdulla Havalja: Kisha shkuar në Klos për të blerë një thes mielli me të cilin gatuajmë bukën dhe disa kilogramë lakër për të bërë turshi. Pasi i mora ato mallra, mbërrita në banesë rreth orës 16:00 të ditës së dielë. Sa futa këmbët në oborr, dëgjova të qara dhe britma të forta në shtëpi. Ashtu i lodhur dhe i dërrmuar u futa me vrap të merrja vesh ç’ka ndodhur. Aty më thanë se Dan Hutra kishte therrur vajzën tonë, Dafinën.
Si e kishin marrë vesh ata të familjes?
Abdulla Havalja: Vetë Dan Hutra i kishte telefonuar me shumë qetësi gruas time dhe i kishte thënë ‘ta kam therrur vajzën. E ke në dhomën e banesës që kishim marrë me qira’.
A e ka besuar gruaja juaj këtë lajm?
Abdulla Havalja: Jo, fillimisht jo. E morën si një lojë, por më pas i telefonuan djalit të madh Rolandit që ishte diku afër shtëpisë atje në Tiranë. Kaq ka folur dhe ka mbyllur telefonin. Duket se këtë veprim e kishte bërë disa orë më parë, sepse u ka thënë si me tallje përse nuk keni shkuar ta merrni.
Ju e kishit dhëndër Dan Hutrën?
Abdulla Havalja: Po, ishte lidhur me time bijë me ndërmjetës. Djali Rolandi duke mos e besuar këtë gjë e ka telefonuar Danin, por edhe atij i ka rikonfirmuar se e kishte vrarë, duke i bërë me dije vendin se ku gjendej.
Pasi morët vesh se vajza juaj kishte vdekur, si vepruat?
Abdulla Havalja: Kemi zbritur nga fshati, ashtu në errësirë dhe mezi kemi gjetur një makinë për të shkuar në Policinë e Burrelit, ku dhe kemi bërë denoncimin. Prej andej jam nisur për në Tiranë, madje nuk kisha asnjë lekë në xhep. Kështu u nisa për të shkuar në Policinë e Tiranës, tek rajoni që e mbulonte atë zonë. Policët kanë marrë gruan time dhe i kanë treguar se ku gjendej ndërtesa e Dan Hutrës.
Dhe çfarë panë në ndërtesë?
Abdulla Havalja: Sapo shkuan atje e shqyen derën. Kanë parë tmerr me sy, vajza e therrur, e vdekur, e mbuluar nga një pellg i madh gjaku. Pasi janë bërë ekspertizat përkatëse, nga policia kemi marrë vajzën për ta sjellë në fshat, ku mezi kam bërë 30 mijë Lekë të reja bashkë nëpër të njohur që t’i bënim pagesat.
Ju kishte paralajmëruar vajza apo vetë dhëndri për këtë gjë të rëndë që ndodhi?
Abdulla Havalja: Jo nuk kam patur asnjë dijeni rreth ndonjë grindjeje mes tyre. Vetëm pasi ndodhi ngjarja mësova se vajza i kishte telefonuar gruas time se Dani e kishte mbyllur në dhomë dhe se kishte frikë se do ta vriste. Dhe pikërisht pas pak çastesh Dani kishte marrë në telefon duke treguar aktin e tmerrshëm që kishte kryer mbi vajzën tonë.
Si e keni njohur këtë dhëndër?
Abdulla Havalja: E kemi njohur përmes një shkuesi nga Kukësi, por që jeton në Bathore. Ai kishte martuar vajzën e tij këtu në këtë fshat dhe vinte shpesh tek dhëndri i tij. Para disa kohësh e kishte sjellë me vete Dan Hutrën me pretekstin se kishin lidhje miqësore. Këtu si pa u kuptuar Dani u njoh me vajzën time dhe ditë më vonë erdhën e kërkuan dhe dorën e saj dhe pëlqimin tonë si prindër. Me ndërhyrjen e shkesit, pa ndonjë ceremoni të madhe, pranova ta martoj vajzën, Dafinën me Danin, pasi muaj më pas do të martoja djalin tim Rolandin. Vetë Dani tregohej shumë i shkathët, fliste bukur dhe të krijonte respekt. Ishte rreth 25 vjeç, ndërsa vajza ime 20 vjeçe. Nuk dua të gënjej, na pëlqeu të gjithëve, por nuk e paskemi ditur se paskësh qenë një bandit, një vrasës.
Keni marrë vesh ndonjëherë për atë që thuhet se ka qenë i dënuar me 3 vjet e gjysmë burg për një veprim pervers brenda familjes?
Abdulla Havalja: Fillimisht nuk e kam ditur këtë gjë, madje siç ju thashë ai të krijonte respekt në pamje të parë. Vetë shkesi gjithnjë më ka folur mirë për të dhe se kalonte mirë me vajzën. Kur më ra në vesh, i kam kërkuar llogari shkesit për këtë, por edhe ai nuk më dha sqarim të plotë ndonjëherë. Gjithsesi ishte vonë për të vepruar pasi kishte kohë që vajzën e kisha të martuar me Dan Hutrën.
E keni kontaktuar shkesin pas vrasjes së vajzës tuaj?
Abdulla Havalja: Disa herë kam tentuar, por ai më ikën, më largohet. Jo se më ka borxh për sjelljet e papërgjegjshme të këtij banditi që më vrau vajzën, por nëse ai kishte njohje për të, çfarë kishte bërë dhe natyrën e tij agresive, duhej të më kishte lajmëruar. Në këtë sens më ka borxh.
Kjo do të thotë se ju do të hakmerreni?
Abdulla Havalja: Jo, e thashë që në fillim. Pres drejtësi që autori të përgjigjet para shtetit. Ky është dhe haku që kërkoj unë.
Po ta kishit ditur se Dani kishte qenë i dënuar dhe më parë, do ta kishit bërë dhëndër?
Abdulla Havalja: Nuk na patën treguar se ai kishte qenë në burg. Më vonë e morëm vesh se kishte qenë në burg, por nuk kishim çfarë të bënim. Po ta kishim ditur nuk ia kishim dhënë kurrë vajzën tonë atij njeriu.
/a.r