Qeveria ruse raportohet të jetë duke konsideruar një shkurtim me 5% të shpenzimeve të prokurimit në fushën e mbrojtjes gjatë këtij viti, duke treguar se as plani i Vladimir Putinit për të rikthyer fuqinë ushtarake të Moskës, nuk është imun ndaj dhimbjes së shkaktuar prej ngadalësimit të ekonomisë.
Presidenti rus e ka kthyer përforcimin e ushtrisë në një prioritet kombëtar dhe, fakti që kjo gjë po vihet në pikëpyetje është një shenjë se, asnjë fushë jetike nuk është e sigurtë dhe e paprekshme nga shkurtimet buxhetore, teksa Rusia nis vitin e dytë të recesionit pas rënies së çmimit të naftës dhe vendosjes së sanksioneve perëndimore.
Propozimi është mbështetur nga Ministria e Financave dhe ka mbështetjen e disa ministrive të tjera dhe institucioneve shtetërore, mjaftueshëm që të vihet për diskutim përpara një takimi të kabinetit qeveritar. Lajmi bëhet i ditur nga 4 burime zyrtare.
Megjithatë, sipas njërit prej tyre që ka folur për “Reuters”, shkurtimi me 5% i shpenzimeve të prokurimit në fushën e mbrojtjes nuk do t’i kursejë qeverisë më shumë sesa 100 miliardë rubla, apo 1,29 miliardë dollarë. “Gjithsesi, nuk është çështja te paratë e kursyera, por te precedenti politik”, tha ai.
Nëse miratohet, shkurtimi i shpenzimeve me 5 për qind do të ishte më i madhi në fushën e mbrojtjes nën drejtimin e Putinit, i cili ka qenë një udhëheqës dominues në Federatën Ruse prej vitit 2000. Në vitin 2011, kur ai ishte kryeministër, Putin njoftoi planet për të rigjallëruar ushtrinë ruse dhe për të rinovuar pajisjet e saj të vjetra, duke shpenzuar plot 23 trilionë rubla deri në vitin 2020.
Shkurtimi i këtyre shpenzimeve do të përfaqësonte një fitore e vogël por simbolike e Ministrisë së Financave, e cila ka bërë të ditur se Rusia nuk mund të përballojë më gjatë riorganizimin disa miliona dollarëshe të Forcave të Armatosura, si dhe ka bërë thirrje për një shkurtim prej 10 për qind të shpenzimeve të disa ministrive.
Buxheti i shpenzimeve të mbrojtjes kap nivelin e 4 për qind të prodhimit kombëtar të këtij viti, apo 1/5-tën e të gjitha shpenzimeve qeveritare, ndërkohë që Rusia është duke u angazhuar ushtarakisht në Siri dhe Ukrainë njëherazi. Moska ka shpenzuar dy trilionë rubla në prokurimet e mbrojtjes në vitin 2015, deklaroi vitin e kaluar zëvendësministrja e Mbrojtjes, Tatiana Shevtsova, që përfaqësonte mbi 60 për qind të shpenzimeve totale buxhetore pikërisht në fushën e mbrojtjes.