Enkelejd Alibeaj ka mbledhur mesditën e sotme grupin parlamentar të Partisë Demokratike. Në qendër të takimit do të jenë diskutimet mbi regjistrimin e PD-së në zgjedhje, ndërkohë që kanë mbetur rreth 24 orë nga afati që kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi u dha për dorëzimin e dokumentit të nevojshëm të firmosur nga Basha i cili ligjërisht rezulton të jetë ende kryetar partie.
Sipas informacioneve, jo të gjithë deputetët e grupit parlamentar të PD-së janë të pranishëm në mbledhje.
Në mbledhjen e zhvilluar në 9 mars, gjatë shqyrtimit të kërkesave të grupimit të Berishës dhe të Alibeajt për t’u regjistruar në zgjedhje, KQZ vendosi të mos i pranoje të dyja. Kërkesa e Rithemelimit nuk u pranua për shkak se Basha njihet ligjërisht si kryetar partie dhe jo Berisha.
Ndërsa kërkesën e Alibeajt për regjistrimin e PD-së në zgjedhje, Ilirjan Celibashi u shpreh se nuk e pranonte për shkak se mungonte një dokument shumë i rëndësishëm që ka të bëjë me Kodin Zgjedhor dhe që duhet firmosur me patjetër nga kryetari i partisë, që ligjërisht është Lulzim Basha. Për dorëzimin e dokumentit të firmosur, KQZ i la afat PD-së vetëm 48 orë kohë.
Ndërsa deputeti Gazment Bardhi në një reagim të bërë per mediat u shpreh se kjo ishte një deklaratë politike e KQZ dhe se nuk do të bëhej asnjë plotësim tjetër i dokumenteve./m.j