Në konferencën për energjinë, zv/kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u shpreh se kriza energjetike na vuri me të vërtetë para një sfide shumë të madhe, duke sjellë edhe kufizim të investimeve në sektorin energjitik.
“ U detyruam të kufizonim shumë nga veprimtaritë tona ashtu siç është edhe kufizimi i investimeve në sektorin energjetik që për të thënë të drejtën e kemi bërë me shumë dhimbje, pasi Shqipëria sot është një vend që zhvillohet në të gjitha fushat, në fushën e agrobiznesit, në fushën e turizmit dhe në çdo fushë tjetër të infrastrukturës arsimore, shëndetë3sore e të tjerë dhe të gjitha këto padyshim kërkojnë një nga elementët më të rëndësishëm, por më bazik që është energjia” u shpreh Balluku ndërsa shtoi se fundi i marsit do të jetë data e shumëpritur e aktivizimit të Bursës Energjetike Shqiptare, ALPEX.
“Gjithashtu ky është një vit i shënuar pasi unë duhet të them që marsi është muaji kur ne do të kthejmë operative dhe do të jetë tashmë një e re e shumëpritur, Bursën Energjetike Shqiptare. E kemi deklaruar disa herë si kohë dorëzimi, por gjithmonë ka pasur problematika pasi ne nuk punojmë vetëm, punojmë me partnerë dhe partnerët padyshim ndikohen nga krizat, nga problematikat dhe gjithçka tjetër, kështu që na është dashur ta shtyjmë disa herë afatin e dorëzimit , por të gjitha palët tashmë deklarojmë se fundi i Marsit do të jetë data e shumëpritur e aktivizimit të Bursës Energjetike Shqiptare, ALPEX, e cila padyshim do të garantojë transparencë, konkurrencë dhe përdorim efikas të kapaciteteve, sidomos sot më shumë se kurrë kur sektori privat po investon fuqishëm në kapacitetet fotovoltaike.” vijoi më tej Balluku.
“Energjia në fokus para luftës”, Balluku: Do e kthejmë Shqipërinë në një vend eksportues neto
Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku në një konferencë që po mbahet për energjinë, është shprehur se Shqipëria ka pasur një fokus të shtuar në energji 4 vite më parë, pra ende pa nisur lufta dhe Ukrainë, e cila solli një krizë të madhe në këtë sektor.
“Faleminderit për ftesën sot dhe është kënaqësi në këtë sallë të shikoj fytyra që i njoh prej kohësh gjë që do të thotë që kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë me njëri-tjetrin, pra administrata, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe sektori privat padyshim. Gjithashtu edhe ambasadorët, trupi diplomatik apo edhe institucionet financiare të huaja të cilat na kanë suportuar dhe kanë qenë me ne hap pas hapi në të gjithë këtë katër vjeçar të gjatë ku Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, gjithashtu dhe qeveria shqiptare kanë pasur një fokus të shtuar mbi sektorin energjetik edhe para se të fillonte kriza” tha fillimisht ministrja.
Bulluku shtoi se synimi është që Shqipëria nga nga një vend importues që është aktualisht në një vend ekspertues neto deri në vitin 2029.
Ajo shtoi se për ta bërë këtë shumë të rëndësishme janë edhe investimet e sektorit privat.
“Ashtu siç ju e dini ne kemi nisur prej vitesh një strategji të mirëfilltë diversifikimi të burimeve energjetike në Republikën e Shqipërisë me një qëllim të saktë, me një qëllim të pastër para nesh i cili na frymëzon çdo ditë. Duam të kthejmë Shqipërinë nga një vend importues në një vend eksportues neto dhe kjo do të ndodhë deri në vitin 2029 sipas një roadmap-i të qartë me të gjitha programet dhe projektet që kanë nisur tashmë prej kohësh, por nga ana tjetër edhe me të gjithë investimet e sektorit privat që për thënë të drejtën tashmë janë të rëndësishme dhe nuk mund të jenë të pakonsiderueshme”, shtoi Balluku.
“Megjithatë unë do të ndalesha pak tek viti që lamë pas, një vit i cili sfidoi jo vetëm Shqipërinë, por edhe vende të stabilizuara prej kohësh me kapacitete të rëndësishme energjetike, vende që kontribuonin jo vetëm në zhvillimin e tyre rajonal, atje ku ndodheshin, por madje në të gjithë botën. Sfida energjetike nuk i dha imunitet askujt dhe të gjitha këto vende u sprovuan, ashtu si dhe Shqipëria. Megjithatë atë që unë konstatoj me shumë kënaqësi është se askush, as Bashkimi Europian, as Ballkani perëndimor dhe as vende të tjera nuk u gjunjëzuan gjatë kësaj krize, por në të kundërt të gjithë ne u motivuam, i frymëzuam për të gjetur instrumenta të rinj, për të krijuar burime alternative energjie dhe për të qenë të përgatitur për çdo krizë tjetër me të cilën mund të përballemi në të ardhmen”, theksoi ajo.
Më pas ministrja bëri me dije se gjatë vitit 2022 janë aprovuar projekteve të cilat përbëjnë 300 megavat/orë prodhim dhe në ndërkohë janë duke u trajtuar 55 aplikime të tjera që i ekuivalojnë një kapaciteti 1.7 gigavat ose përkthyer në para, në investim, 1.3 miliard euro investime energjetike të sektorit privat në Shqipëri.
“Me kënaqësi unë sot do të thoja që vetëm brenda vitit 2022 deri më tani ne kemi në Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë kemi aprovuar, kemi dhënë dritën jeshile projekteve të cilat përbëjnë 300 megavat/orë prodhim dhe në ndërkohë janë duke u trajtuar 55 aplikime të tjera që i ekuivalojnë një kapaciteti 1.7 gigavat ose përkthyer në para, në investim, 1.3 miliard euro investime energjetike të sektorit privat në Shqipëri”, bwri me dije ministrja.
Balluku theksoi se këtë vit Shqipëria mban mbajmë kryesimin e dy proceseve shumë të rëndësishme, që janë presidenca e Komunitetit të Energjisë dhe Procesi i Berlinit.
“Por Shqipëria këtë vit është e privilegjuar përsa i përket sektorit energjetike. Ky është një vit i rëndësishëm sa i takon energjisë pasi në këtë vit ne mbajmë kryesimin e dy proceseve shumë të rëndësishme. Kemi presidencën e Komunitetit të Energjisë, si një mekanizëm bashkëpunimi, rajonal dhe një katalizator për integrimin e rrjeteve tona energjetik me ato të Bashkimit Europian dhe zhvillimin e sektorit në përputhje me direktivat dhe standardet europiane duke i ofruar kështu garanci të shtuar investitorëve. Nga ana tjetër Shqipëria do të jetë mikëpritëse për procesin e Berlinit”, u shpreh Balluku./m.j