U zhdukën 19 vite më parë trondit dëshmia për dy shoqet e humbura. Dëshmitarja mbërrin në redaksinë e ’Pa Gjurmë’ ne Report TV flet për herë të parë çfarë ndodhi mbrëmjen e 11 marsit të vitit 2004. Lidhja e një prej vajzave me kreun e një prej bandave famëkeqe të Lushnjes Arben Hoxha, teksa dëshmitarja thote se i vrau dhe i groposi në dunat e Divjakës.
Të dyja u zhdukën në të njëjtën ditë mbrëmjen e 11 marsit të vitit 2004. Kjo është një nga ato histori që bëjnë jehonë ende dhe sot për faktin se nuk ka asnjë gjurmë për fatin e të dyjave, por edhe sepse i vetmi autor i dyshuar nuk jeton më. Arben Hoxha bashkëjetuesi i Nertila Osmanit, kreu i një prej bandave famëkeqe të Lushnjës i cili është vrarë në vitin 2005.
Vajzat u njohën në lokalin ku punonin bashkë në zonën e ish-bllokut në Tiranë në vitet 2000. Periudhë gjatë së cilës Nertila u lidh me Arbenin, ndërsa nisën bashkëjetesën duke marrë një shtëpi me qera, në zonën e Laprakës. Në vitin 2003 vjen në jetë vajza e tyre e vetme. Ata nuk patën celebrim, ndërsa ditën që partneri i kërkoi Nertilës të takoheshin pranë doganës, do të nisej për në Gjermani. Pas debatit qe ndodhi mes tyre Nertila shkon tek shoqja e saj Sonila Kryeziu.
Ajo njofton në telefon fqinjën se do të kthehej atë natë. Arbeni ishte personi i fundit që Nertila pati kontakt, ndërsa e ëma mëson se edhe shoqja e saj ishte larguar po atë natë, pasi një djalë me emrin Dani nga Durrësi e kishte telefonuar rreth orës 20:30-të të mbrëmjes më datë 11 mars të vitit 2004. Ky është edhe fillimi i një kalvari vuajtjesh për dy nëna në kërkim të dy bijave. Pikëpyetje të mëdha që presin një përgjigje, ku janë sot dy vajzat zeshkane Nertila Osmani dhe Sonila Kryeziu ?
Biseda në emision
Dëshmitarja: Unë jam … nga Tirana dhe martuar në Lushnjë. Kam ndenjur deri në 2004 kur burri im vdiq nga ata të bandës
Odeta Dume: Të Lushnjës?
Dëshmitarja: Të Lushnjës
Odeta Dume: E vranë?
Dëshmitarja: E goditën e bënë copa dhe vdiq më vonë.
Odeta Dume: Tani ti mendon se…
Dëshmitarja: Tani Sonila…
Odeta Dume: Kryeziu?
Dëshmitarja: Kryeziu…
Odeta Dume: Me Nertila Osmanin, kanë qenë të dyja shoqe që kanë humbur
Dëshmitarja: Ajo që ka gocën…
Odeta Dume: Nertila…
Dëshmitarja: Ish e dashura e Benit (kreu i një prej bandave të Lushnjës)
Odeta Dume: Po
Dëshmitarja: Ben Hoxha quhej
Odeta Dume: Po
Dëshmitarja: Benin e vranë në 2005 dhe ai që të dyja ato i ka eleminuar
Odeta Dume: I ka vrarë?!
Dëshmitarja: I ka vrarë dhe i ka varrosur në Divjakë. Në plazhin e Divjakës në rërë
Odeta Dume: Nga e mësove këtë ngjarje ti, nga e di ti që…
Dëshmitarja: Unë, dëgjo mua tani. Burri im ra pre e këtyre
Odeta Dume: Ka qenë pjesë e grupit?
Dëshmitarja: Jo nuk ka qenë pjesë e grupit. Ka qenë ushtarak. Është ai që hoqi bombën e stadiumit, burri im
Odeta Dume: Po, ra pre e këtyre
Dëshmitarja: Burri im…këta e morën burrin tim dhe i thanë: Do na bësh shumë gjëra. Tani burri im niset, nga Lushnja vjen në Tiranë te prokurori i përgjithshëm. Dhe i kërkoi ndihmë. Unë ika në Turqi, sepse shtëpia ime nuk gjente qetësi as nga Beni dhe as nga njeri. Ne nuk hanim dot bukë.
Odeta Dume: Nga frika. Po burri ta ka treguar këtë histori ty, që i ka vrarë…
Dëshmitarja: Ai që i ka varrosur
Odeta Dume: Kush i ka varrosur?
Dëshmitarja: Sepentja. Sepentja quhet ose Armand N…
Odeta Dume: Ku jeton ky?
Dëshmitarja: Ai për fat ka vdekur vjet, ka vdekur nga overdoza. Ama ai nuk ka qenë vetëm. Rrëmujë e sherre e shamata, se Beni kishte një gjë. Nëqoftëse ti i ktheje përgjigje Benit, të vriste në vend. Ishe i eleminuar
Odeta Dume: Tani ti po më thua që Sonila Kryeziun dhe Nertila Osmanin e ka vrarë… (Ben Hoxha)?
Dëshmitarja: Po. Dhe i kanë hapur gropën. Se i thashë unë si i varrose? Te rëra e Divjakës
Odeta Dume: Se aty është goxha sipërfaqe
Dëshmitarja: Sa kaloje gabinat që kanë qenë të kohës së Enverit. Sa i kaloje janë ato si kodrina të rërës, si duna. Atje kanë gjetur çunin e Naxhies, në atë vend.
Odeta Dume: Eshtrat? Po
Dëshmitarja: Eshtrat e të shkretit
Odeta Dume: Dhe aty janë groposur dhe Sonila dhe Nertila?
Dëshmitarja: Atje janë të groposura
Odeta Dume: Sa persona kanë qenë që i kanë groposur?
Dëshmitarja: Katër veta
Odeta Dume: Katër veta? Njëri prej tyre të ka treguar ty?
Dëshmitarja: Po, Sepentja
Odeta Dume: Ky personi ka vdekur, ky që të tregoi?
Dëshmitarja: Ka vdekur vjet
Odeta Dume: Ka vdekur vjet… ky i ka groposur?
Dëshmitarja: Ky i ka groposur
Odeta Dume: Po ata 4 personat e tjerë nga Lushnja duhet të jenë?
Dëshmitarja: Lushnjarë dhe ata
Odeta Dume: Po të tregoi kush i kishte vrarë, ku i vranë?
Dëshmitarja: Beni të dyja
Odeta Dume: Të dyja i ka vrarë Beni?
Dëshmitarja: Po. Të parën ka vrarë atë shoqen
Odeta Dume: Sonilën? Mars 2004?
Dëshmitarja: Po atëherë ka qenë. Se në Maj, në 7 maj ka vdekur burri im
Odeta Dume: 7 maj. Po ti këtë personin që vdiq nga e njohe, e kishe fqinj?
Dëshmitarja: Komshi
Odeta Dume: Po si të tregoi?
Dëshmitarja: Po shoku i ngushtë i çunit tim dhe i burrit tim
Odeta Dume: Edhe i burrit… ai të tregoi
Dëshmitarja: Se shiko ti, vinte Beni aty me thesin… me çfarë thesi thua ti? Me armë. Me armë të bllokuara
Odeta Dume: Po
Dëshmitarja: Dhe na merrte neve dhe na nxirrte me shkelma përjashta
Odeta Dume: Pra ai i ka vrarë me armë këto
Dëshmitarja: Me armë, me pistoletë
Odeta Dume: Me pistoletë, të dyja shoqet?
Dëshmitarja: Po, të dyja. E para është vrarë ajo…
Odeta Dume: Sonila Kryeziu
Dëshmitarja: Pastaj ka vrarë atë të dashurën
Odeta Dume: Ato janë vrarë në mars 2004 aty në një hotel në Divjakë dhe i kanë groposur këta personat tek…
Dëshmitarja: Tek dunat. Nëse janë dunat më. Se më kanë thënë që në Divjakë edhe deti paska ikur thonë, se unë nuk vete unë kam frikë. Se jam në Angli unë
Odeta Dume: A jeton në Angli ti?
Dëshmitarja: Jam në Angli zemër
Odeta Dume: Por më dëgjo. Këtë dëshminë tënde ti mua më lejon ta jap, pa të përmendur kush emrin?
Dëshmitarja: Jo, jo, jo!
Odeta Dume: Po unë nuk do e përmend se kush je ti. Një zonjë që na erdhi dhe na dha këtë dëshmi.
Dëshmitarja: Po
Odeta Dume: Që ne të fillojmë kërkimet. Por ai ka vdekur, kështu që ne na intereson ndoshta dikush nga ata katër personat e tjerë
Dëshmitarja: Po katër persona
Odeta Dume: Të tjerët mund të reagojnë
Dëshmitarja: Mund të reagojnë dhe… se atje ka shumë drogaxhinj te lagja jonë.
Odeta Dume: E qartë! Edhe një herë më thuaj vendin, ku janë groposur, sa mban mend
Dëshmitarja: Te dunat e rërës
Odeta Dume: Te dunat e Divjakës?
Dëshmitarja: E Divjakës. Dhe fillojnë pishat…
Odeta Dume: Në rrëzë të pishave, ku domethënë?
Dëshmitarja: Pa shkuar te pishat, në rërë
Odeta Dume: Në rërë i kanë groposur, te dunat?
Dëshmitarja: Te dunat/m.j